INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Befason Lushnja, mposht kampionët e Shqipërisë me rezultatin 3-1

Befason Lushnja, mposht kampionët e Shqipërisë me rezultatin 3-1

Publikuar më: 16:43 09-12-2017

Në “Zeqir Ymeri” u luajt ndeshja hapëse e javës së 14-të të Superiores. Në një klimë të ftohtë dhe me shi, Kukësi dhe Lushnja kanë përveshur mëngët për të marrë maksimumin e pikëve. Verilindorët e Milinkovic janë shfaqur të trysnuar disi psikologjikisht, ndoshta nga ultimatumi i fundit i presidentit Safet Gjici, ndaj kanë qenë të pasaktë në finalizim. Sidomos në pjesën e parë, kur e kanë parë veten në disavantazh. Nuk u kanë besuar syve vendësit, teksa në minutën e 12-të, mbrojtësi dibran i Lushnjës, Prenci, ka devijuar me këmbë një krosim në zonën kuksiane dhe ka shënuar. Reagimi i kampionëve në fuqi ka qenë evident, e kanë spostuar lojën në gjysmëfushën lagunare, por rastet e krijuara janë shpërdoruar. Kështu ka ndodhur në minutën e 29-të, kur Guri depërton nga e djathta dhe e adreson topin në qendër të zonës mike. Aty gjendet i lirë Bakaj, por me portën e boshatisur përballë nuk arrin të devijojë topin. Edhe në minutën e 40-të, Kukësi i afrohet fare pranë golit të barazimit. Një goditje dënimi harkohet në zonën e vogël të portës lushnjare nga Bakaj, por Shameti nuk arrin ta godasë në kohën e duhur, pasi topi përplaset në tokë dhe kërcen.
Pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të Lushnjës, ndërsa e dyta nis në ofensivë të vendësve. Në minutën e 48-të, Bakaj nuk fal, teksa harkimin e topit e godet për në rrjetë. Kuksianët “bëhen me krahë”, që nuk e ulin presionin ndaj kundërshtarit, tashmë në kërkim të epërsisë. Në minutën e 61-të, Guri kalon bukur dy mbrojtës lushnjarë, por i vetëm me Spahon godet shumë keq. Kur pritej të shënonte skuadra vendëse, Sefa, në minutën e 66-të, befason sërish. Një top të përfituar në prapavijën vendëse, Fatjon Sefa e godet saktë dhe tokazi, duke mposhtur Koliqin. Dramë te Kukësi, që rifutet nën presion, aq sa nuk bën dot dy pasime të sakta radhazi. Milinkovic bën ndryshimet e lejuara në formacion, me shpresën e barazimit, por lushnjarët mbrohen mirë dhe kundërsulmojnë befasisht. Në minutën e 83-të, Shameti dhe Hoxha nuk kuptohen me njëri-tjetrin në prapavijë, duke i dhënë “asistin” e duhur Sefës, që trefishon shifrat. Goditje fatale për verilindorët, ndërsa lushnjarët bëjnë befasinë e madhe të kësaj jave të Superiores, duke fituar 3-1. Tashmë “laku” ngushtohet më shumë se kurrë për trajnerin Milinkovic, sepse ecuria e kampionëve dhe objektivi madhor i Gjicit për të mbrojtur kurorën janë krejtësisht në drejtime të kundërta./telesport/

Article Logic
Execution time: 0.0020558834075928