Ish-kryeministri Sali Berisha në parlament s’ka nguruar të përfshihet në akuza të tjera në lidhje me trafikun e drogës në vendin tonë duke mos u kursyer aq sa e quan qeverinë Rama, qeveria kriminale e kanabis. Ai akuzon kryeministrin Rama se ka përfshirë deri dhe makinat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për të transportuar kanabis.
Pjesë nga fjala e Berishës:
“Pse do të merremi ne me fshatarin e thjeshtë që mashtrohet?! A e dini ju sesi ka një njeri më të afërt se këmishën në vjedhje? Ardian Çela quhet, ai terroristi i OSHEE. A e dini se makinat e OSHEE e transportojnë në katër anët e Shqipërisë drogën? A e dini ju? A e dini se drogën e Kurveleshit e lëviz Saimir Tahiri? E ka marrë përsipër transportin me Ardian Çelën, absolutisht po.”
Po Berisha përmendi dhe rastin e avionit italian që u rrëzua sot në Ishëm, duke thënë se piloti është në ndjekje penale. “Të jeni të bindur që do të paguani një çmim shumë të shtrenjtë për këtë që po bëni? Iku Riformato, erdhi Guido. A e dini ju që ky Guido është në ndjekje penale? Ja ku e keni,” – tha Berisha.
Ish kryeministi akuzoi dhe Minisitrin Tahiri: “A e dini se kryeskafisti e ka mbushur Shqipërinë me 150 lejë skafesh?Sa drogë mendoni ju se është mbjellë në Shqipëri? Të paktën 20 milionë rrënjë. Minimumi. Po, po sot, Shqipëria, a e dini ju sa sms i ka dërguar Ymer Lalës ky zotëria? Le të thotë vetë ai po deshi që s’i ka dërguar. I kontrollojnë shërbimet partnere të gjitha. Kjo ju djeg juve. Le ta mohojë po të dojë e të thotë se s’më ka dërguar asnjë mesazh dhe unë do të jap përmbajtjet e tyre pastaj”, – u shpreh Sali Berisha.