INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Besimtarët kremtojnë Krishtlindjet, Imzot Frendo apelon për dialog dhe jo dhunë

Besimtarët kremtojnë Krishtlindjet, Imzot Frendo apelon për dialog dhe jo dhunë

Publikuar më: 09:03 25-12-2018

Besimtarët e krishterë në të gjithë botën kremtojnë Krishtlindjen, lindjen e Krishtit. Në katedralen e Shën Palit në Tiranë, besimtarët katolikë mbajtën meshën e mesnatës, kurse të krishterët ortodoksë u lutën në orët e para të mëngjesit. Meshë e drejtuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Me rastin e Krishtlindjeve, klerikët e lartë të krishterë kanë dhënë mesazhet e tyre, jo vetëm për besimtarët. Ata u lutën për paqe, mbarësi e dashuri. Imzot George Frendo gjatë fjalës së tij në meshën e Krishtlindjes në Katedralen e Shën Palit ka bërë apel për dialog dhe jo dhunë.

Ai u shpreh se problemi më i madh i Shqipërisë sot është largimi i të rinjve, prandaj u bëri apel pozitës dhe opozitës që të ulen për të zgjidhur problemin e papunësisë.

Frendo këshilloi të rinjtë që të kërkojnë më shumë për të krijuar një Shqipëri më të mirë, ndërsa shtoi se shqiptarët ka vuajtur shumë dhe tani meritojnë një jetë më të mirë.

“Para disa ditësh isha në një takim me disa studentë, u mërzita kur të gjithë shprehën dëshirën të emigrojnë. Po humbasim shumë persona, që numërohen ndër elementët më të çmuar, kjo është varfëria më e madhe për Shqipërinë. U lutem pozitës dhe opozitës të ulen së bashku në një tryezë dhe të diskutojnë këtë problem si mund të tërhiqen investitorë në këtë vend të bukur dhe të hapin vende pune. Me një vullnet të mirë mund të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, më të drejtë më të lumtur. Populli shqiptar ka vuajtur shumë. Ruaje o Zot Shqipërinë” u shpreh Imzot Frendo.

“Me mishërimin e birit të vet zhduku errësirat e botës dhe lindjen e tij të lume e shndriti këtë natë. Ai zhduktë prej jush errësirat e veseve dhe ndriçoftë zemrat tuaja me dritën e virtyteve. Hyji ju mbushtë dhe ju me gëzimin e vet dhe ju bëftë lajmëtarë të ungjillit të vet. Ju pajistë me dhuratën e paqes së vet dhe të vullnetit të mirë. Gëzuar Krishtlindjet!”, uroi Imzot Frendo.

Article Logic
Execution time: 0.0032410621643066