Kuvendi është mbledhur për të votuar ligjin për Teatrin, ndërsa jashtë godinës Aleanca në mbrojtje të Teatrit dhe qytetarët po protestojnë. Votimi i ligjit i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar, gjë kjo që kundërshtohet nga artistët dhe qytetarët por edhe nga opozita. “Reflektoni o njerëz, se ka marrë fund Shqipëria!" bën thirrje Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e cila është mbledhur për të protestuar pasi gjykon se ky ligj që rrëmben pronën publike duke shembur Teatrin Kombëtar është antikushtetues.
“Në mënyrë të paprecedentë dhe të paligjshme shumica socialiste në Komision ka miratuar dekretin e Presidentit që praktikisht e rrëzon ligjin duke pranuar vërejtjet e tij, ndër të tjera për antikushtetueshmëri—dhe po aty për aty, brenda pak minutash, ka bërë amendime të ligjit, pa ia nënshtruar ato asnjë debati dhe procedure normale parlamentare. Asnjë nga shkeljet e ngritura në dekretin e Presidentit nuk është marrë në konsideratë, edhe pse dekreti, çuditërisht, është miratuar nga shumica socialiste në Komisioin e Veprimtarive Prodhuese” vëren Aleanca.