Donald Trump është betuar si president i Shteteve të Bashkuara. Ceremonia e betimit u mbajt para 900 mijë të pranishmëve në Capitol Hill. “Do të kryej me besnikëri detyrën e presidentit të SHBA. Do të bëj më të mirën për të mbrojtur Kushtetutën e SHBA. Ndaj, Zot më ndihmo!”, ka pohuar Trump. Ai kreu ritualin e betimit, si President me dorën e vendosur mbi 2 Bibla, atë që i ka dhuruar e ëma në fëmijërinë e tij dhe mbi Biblën që u betua Abraham Lincoln në vitin 1861. Trump mbajti fjalimin tradicional të kreut të shtetit, duke u shprehur se do të përmbush detyrat e Amerikës. “Njerëz, faleminderit,” filloi Trump. “Bashkë do të përmbushim detyrat e Amerikës dhe të botës për shumë e shumë vite në vazhdim". Ai ka falenderuar çiftin Obama ndërsa është shprehur se Amerika është e do të jetë e para . “Koha për fjalë të kota ka mbaruar, tani vjen ora e veprimeve. Mos lejoni askënd t’ju thotë se nuk mund të bëhet”. Gjatë fjalimit të mbajtur ai ka ripërsëritur qëndrimet e shprehura gjatë fushatës elektorale, që shkaktuan aq shumë polemika.
Trump: “Ne, qytetarët e Amerikës jemi bashkuar në një përpjekje kombëtare për të rindërtuar vendin tonë. Jemi këtu për të plotësuar premtimet që u kemi bërë amerikanëve. Ne jemi një komb dhe ëndrrat e qytetarëve janë ëndrrat tona dhe suksesi i tyre do të jetë suksesi ynë. Betimi që unë bëra sot është një betim për besnikëri ndaj amerikanëve për shumë dekada. Ne kemi mbështetur industrinë e huaj në kurriz të asaj amerikane, kemi ndihmuar ushtritë e huaja në kurriz të ushtrisë tonë, kemi mbrojtur kufijtë e të tjerëve në kurriz të kufijve tanë. Kemi bërë të pasura vendet e tjera, ndërsa fuqia e vendit tonë është zhdukur në horizont. Nga sot, Amerika do të jetë gjithmone e para. Çdo vendim për emigracionin dhe çështjet e huaja do të merret në të mirë të amerikanëve dhe ne do të mbrojmë vendin tonë nga ndërhyrjet e vendeve të tjera. Kjo do të na çojë drejt prosperitetit dhe një fuqie më të madhe. Nuk do t’ju zhgënjej asnjëherë. Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish! Faleminderit! Zoti ju bekoftë juve dhe Amerikën!”.
Të pranishëm në ceremoninë madhështore kanë qenë rivalja e tij Hillari Klinton së bashku me bashkëshortin, njëkohësisht ish-presidentin Bill Klinton. Të pranishëm kanë qenë edhe presidentë të Shteteve të Bashkuara ndër vite si George W. Bush, Bill Clinton, etj.
Trump e nisi ditën e tij më të rëndësishme me një vizitë në meshën e mbajtur orët e mëngjesit, e më pas me një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga presidenti në largim Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle.