Nuk është më Greqia investitori më i madh në Shqipëri. Vendin që e mbante prej më shumë se dy dekadash, tashmë e ka zënë Zvicra, duke e zhvendosur Greqinë në vend të dytë për investime në vendin tonë. Raporti i Bankës së Shqipërisë tregon se në fund të tremujorit të katërt të 2018, Greqia kaloi si investitori i dytë në vend, duke ia lënë vendin Zvicrës.Stoku i investimeve nga Zvicra në Shqipëri arritën në fund të 2018-ës në 1.3 miliardë euro, duke përbërë 17.3% të totalit prej 7.7 miliardë eurosh që kanë investuar shtetet e huaja në Shqipëri që pas viteve ’90. Duket se këtë pozicionim I kanë ka dhënë Zvicrës punimet për gazsjellësin TAP.Greqia në fund të vitit 2018 pati një stok prej 1.2 miliardë eurosh, ose 16% të totalit.
Në vend të tretë, si investitori më i madh ka kaluar Holanda, me një stok prej 1 miliardë eurosh, përmes kompanive që investojnë në hidrocenrtale.
Kandaja ka shënuar zbritje, duke u renditur e katërta sa i përket investimeve, nga vendin e dytë që e ka mbajtur, me 951 milionë euro në fund të 2018-s.
Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të madh të bizneseve, renditet e pesta për nga stoku i investimeve, me 686 milionë euro, ose 8.9% e totalit.
Në vend të gjashtë renditet Turqia, me një stok investimesh prej 604 milionë euro, ose 6.9% e totalit. Investimet kryesore të Turqisë janë në telekomunikacione dhe banka.
Më pas vijnë Austria me 525 milionë euro, me investime në banka dhe energji; Franca, me 297 milionë euro, Qipro me 158 milionë euro dhe Gjermania me 133 milionë euro.