INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

72 viktima në Pakistan. Identifikohet kamikazi

Publikuar më: 11:58 28-03-2016

Bilanci i viktimave në sulmin e kamikazit në një parking para parkut të stërmbushur në qytetin Lahore në Pakistanin Lindor, ku katolikët festonin Pashkët, arriti 72 persona, ndërsa 200 janë plagosur.

Midis viktimave dhe të lënduarve ka një numër të madh të grave dhe fëmijëve.

Përfaqësuesi i policisë Hajder Ashraf, deklaroi se në sulm humbën jetën 72 persona, ndërsa zëdhënësja e ekipit të shpëtimit Deba Shahbaz deklaroi se midis viktimave 29 janë fëmijë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi militant islamist Xhamlat ul Ahrar, i cili prezantohet si pjestar i talebanëve pakistanezë, i cili konfirmoi se objektiv i sulmit ishin të krishterët.

"Të krishterët ishin qëllimi i sulmit tonë në Lahore", deklaroi Ehansullah Eksa, përfaqësues i talebanëve pakistanezë Xhamlat ul Ahrar.

Ai theksoi se grupi i tij terrorist do të kryejë akoma sulme të tilla, duke kërcënuar se objektiva përkundër objekteve qeveritare dhe ushtarake, do të jenë edhe shkollat dhe kolegjet.

Ashraf, paraprakisht deklaroi se supozon se sulmuesit nuk kanë pasur si objektiv të krishterët sepse pjesa më e madhe e viktimave janë myslimanët, duke shtuar se "të gjithë e vizitonin këtë park".

Autoritetet kanë identifikuar edhe personin që hodhi veten në erë fjala është për një 28 vjeçar të quajtur Yousuf.

Skuadra speciale e çaktivizimit të bombave ka deklaruar se në bazë të dëmit të shkaktuar mendohet se personi që kreu shpërthimin kamikaz mund të ketë patur me vete tetë deri në dhjetë kilogramë lëndë eksplozive.

 

Article Logic
Execution time: 0.0036640167236328