Edhe një herë tjetër Turqia është goditur nga terrori, me të njëjtën vendngjarjeje Ankaranë. Bilanci është më tepër se tragjik më së paku 34 të vdekur e 125 të plagosur.
Shpërthimi i ndodhur mbrëmë në sheshin qendror të qytetit, në Këzëllaj, është i treti në pak muaj në Ankara. 102 persona mbetën të vrarë më 10 tetor të 2015-ës pranë stacionit qendror hekurudhor në kryeqytetin turk. 29 qytetarë të tjerë ndërruan jetën mbrëmjen e 27 shkurtit vetëm një kilometër larg vendit ku ndodhi tragjedia e mbrëmshme.
Një makinë e mbushur me lëndë shpërthyese u hodh në erë në mes dy autobusëve pranë stacioneve të autobusëve të tejmbushur me njerëz. Në vendin e ngjarjes humbën jetën 30 persona, ndërsa katër të tjerë nuk u mbijetuan plagëve në spital. Nga 125 të plagosurit, 19 prej tyre janë në gjendje të rëndë. Kjo është ajo çka ka njoftuar ministri turk i Shëndetësisë, Mehmet Muezzinogllu.
Të dhënat paraprake lënë për të kuptuar se sulmin e ka organizuar PKK-ja, organizata terroriste kurde, apo një tjetër organizatë e lidhur me të, siç deklaron një zyrtar turk, emri i të cilit nuk jepet nga burimet e lajmeve.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi pas atentatit se shteti nuk do të heqë dorë asnjëherë nga e drejta e vetëmbrojtjes kundër çdo lloji të terrorizmit.
"Të gjithë forcat tona të sigurisë janë duke sakrifikuar jetën, janë duke ndërmarrë një luftë të vendosur kundër organizatave terroriste. Qytetarët të mos shqetësohen sepse të gjitha institucionet e shtetit tonë në bashkëpunim me popullin do ta kryejnë me sukses këtë luftë kundër terrorizmit dhe ai do të gjunjëzohet"- u shpreh Erdogan.
Presidenti turk tha se vendi i tij si rezultat i destabilitetit të përjetuar në rajon në vitet e fundit ka qenë në objektivin e sulmeve terroriste.