INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Biznesi nuk po ndërton më pallate, po sheh shumë më lart

Biznesi nuk po ndërton më pallate, po sheh shumë më lart

Publikuar më: 09:50 06-03-2019

Instat tregon se lejet për ndërtime jo rezidenciale janë në rritje të vazhdueshme. Ndërtimet jorezidenciale përfshijnë ato industriale, si fabrikat apo njësitë e prodhimit, hotelet, zyrat dhe ndërtesat e shërbimeve, qendrat tregtare dhe dyqanet.
Instat raporton se për vitin 2018, u dhanë 424 leje. Numri i lejeve u rrit me 43% krahasuar me vitin 2017, ndërsa krahasuar me vitin 2014 numri i lejeve është rritur me afro gjashtë herë. Vlera e lejeve të miratuara për ndërtimet jorezidenciale në vitin 2018 arriti vlerën e 18.8 miliardë lekëve, ose rreth 150 milionë eurove. Edhe në vlerë, investimet për ndërtesa të reja janë rritur afërsisht me gjashtë herë krahasuar me vitin 2014.
Vitet e fundit rritja e investimeve në pasuri të paluajtshme mes individëve, po kthehet në tendencë, por duke parë shifrat, interesi më i lartë për të investuar në prona po duket edhe te bizneset. Kjo tendencë mund të shpjegohet me disa faktorë. Përmirësimi i treguesve ekonomikë dhe i ndjesisë së biznesit po nxit më shumë investime të reja nga sipërmarrja.
Bllokimi i përkohshëm i lejeve gjithashtu krijoi një akumulim të projekteve të ngelura pezull, të cilat po miratohen në dy vitet e fundit. Normat e ulëta të interesit mund të jenë gjithashtu një element që i favorizon këto investime. Megjithatë, ndryshe nga individët, kredidhënia për bizneset është më e shtrënguar. Portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme të biznesit në fund të viti të kaluar ishte 78.5 miliardë lekë, në rënie me rreth 4 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë.
Kjo rënie reflekton edhe forcimin e lekut, që ka ulur vlerën ekuivalente të portofolit në euro, por sërish kreditimi i biznesit për të investuar në prona ngelet në nivele stanjacioni. Faktorë janë edhe zhvillimet në sektorë të veçantë, siç është rasti turizmit. Rritja e numrit të turistëve ka shtuar interesin për të investuar në struktura akomoduese. Vitin e kaluar u dhanë 75 leje ndërtimi, ndërsa një vit më parë ishin dhënë 53 leje të tjera.

Article Logic
Execution time: 0.0034279823303223