Madje nisma në fjalë, ka bërë bashkë shumë shqiptarë.
Ndërtimi i hidrocentraleve në Osum ka ngjallur reagime të shumta jo vetëm nga qytetarë të thjeshtë.
Ndër të parët që reagoi , nga personazhet publikë, ishte moderatori Turjan Hyska i cili e quajti të turpshme dhe tradhëti kombëtare këtë.
Kësaj nisme tashmë i është bashkuar edhe gazetari Blendi Fevziu i cili jo vetëm e trajtoi më gjerë çështjen në puntatën e mbrëmshme të ‘Opinion’, por edhe i dedikoi një status të plotë:
“Kjo është një nga ujvarat më të bukura në Shqipëri. Gjendet në mes të kanioneve të Osumit, një mrekulli natyrore e mbrojtur me ligj. Nesër kjo ujvarë mund të mos jetë më sepse është vendosur ndërtimi i një hidrocentrali. Përtej të qenit një vendim korruptiv ai i heq të drejtën mijëra shqiptarëve të shijojnë një mrekulli të natyrës, vetëm për arsyen që një apo dy veta të fitojnë ca para më shumë. Turp për të gjithë. Ata që duan ta shkatërrojnë këtë pasuri natyrore, ata që kanë dhënë leje ta shkatërrojnë dhe ata që heshtin përballë kësaj. Solidarizohuni të gjithë për të penguar këtë masakër”, ka shkruar Fevziu .
Gjithashtu edhe aktori Bes Kallaku bëri reagimin e tij: “Pasuritë dhe bukuritë që na i ka falur zoti, na i ka fal natyra, duam t’i shkatërrojmë. I bashkohem ekipit që thonë ndal kësaj masakre mjedisore”.