Operacioni i koduar 'Butriniti' i Policisë së Sarandës është finalizuar me suksese me kapjen e 4 personave që merreshin me vjedhjen e mjeteve lundruese.
Policia sekuestroi dhe 5 mjete lundruese të cilat ishin vjedhur në Shqipëri dhe Greqi.
Sipas informacioneve bëhet me dije se të arrestuarit të gjithë banues në Sarandë janë të moshës nga 15 deri në 20 vjeç.
Njoftimi i policisë
Më datë 02.09.2018, në grykëderdhjen e lumit "Pavllo", u bë e mundur bllokimi i një mjeti lundrues tip Gomone me mbishkrimin "Highfield", në të cilin u arrestuan në flagrancë dy shtetasit e mëposhtëm: F.Ll, 17 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandë. A.D., 15 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, Sarandė.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.D, u gjet dhe u sekuestrua një mjet lundrues varkë plastike me mbishkrimin "Evinrude", pa dokumentacion.
Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit nga ana e Policisë Greke, është bërë i mundur arrestimi i dy shtetasve të tjerë në Ishullin e Korfuzit Greqi, të cilët janë kapur në flagrancë duke vjedhur mjete lundruese (skafe):
K.P, 17 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli.
K.D, 20 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli.
Nga ana jonë janë bllokuar dhe sekuestruar 2 mjete lundruese:
- Gomone "Highfield", motor "Mërkuri" me 9HP.
- Varkë plastike "Evinrude" 25 HP.
Ndersa policia greke ka sekuestruar 3 mjete të tjera lundruese në Ishullin e Korfuzit, Greqi.
Materialet proceduriale në ngarkim të shtetasve F.Ll, dhe A.D, iu referuan Prokurorisë për veprat penale "Trafikimi i mjeteve motorike" dhe "Vjedhje".