Shqipëria vazhdon traditën fituese në kategoritë e ndryshme të boksit, duke nxjerrë edhe dy kampion të rinj.
Kristjan Caca është shpallur dje kampion italie në thai box, ku jo vetëm ka fituar me knock out, por edhe ka thyer dorën e kundërshtarit të tij, italianit Fabio Nativo. Kjo është hera e tretë që 21 vjeçari që peshon 66 kilogramë shpallet kampion, ku pas dy titujsh si kampion në Gjermani në federatën e famshme ISKA, tashmë pushton edhe vendin fqinj. Në Itali Caca është shpallur kampion në federatën Top Kombat Confederation.
Por kjo nuk është gjithçka, pasi kot nuk thonë se trimat e mirë janë me shokë shumë. Dhe në rastin e kampionëve, edhe shokët e tyre nuk kanë se si të jenë ndryshe. Bëhet fjalë për Ervis Bicin, i cili është shpallur gjithashtu kampion në Itali për herë të tretë, në Top Kombat Confederation në peshën e tij, 75 kilogramë. Bici mundi italianin Giuseppe Giacomazzo duke konfirmuar pathyeshmërinë e tij, me fitoren e 10 në 10 ndeshje të zhvilluara. Tradita e kampionëve shqiptarë vazhdon dhe duke gjykuar nga këta të rinj premtues, e ardhmja duket e garantuar.