Episodi i rrallë ka ndodhur në minutat e fundit të ndeshjes së djeshme në Camp Nou.
Nuk duhet të shpërqëndrohesh kurrë në fushën e lojës, veçanërisht kur përballe ke një kundërshtar si Barcelona që mund të përmbysë edhe rezultate të pamundura si ajo me Paris Saint-Germain. Madje as në minutat finale të një ndeshjeje në kasafortë ku ke plot 3 gola avantazh në minutat e fundit të lojës. Për konfirmim mjafton të pyesni mbrojtësin e Juventus Leonardo Bonucci, i cili është qortuar nga shoku i tij i repartit Giorgio Chiellini, për arsye se i kërkoi Messit të shkëmbenin bluzet para se ndeshja të kishte mbaruar. Futbollisti italian i afrohet fantazistit argjentinas dhe e thërret dy herë. Chiellini e kupton se për çfarë bëhet fjalë dhe menjëherë shkon që t’i tërheqë vëmendjen shokut të ekipit me një grusht të lehtë në krah, për ta kujtuar që të qëndrojë i përqëndruar në lojë. Megjithatë Bonucci nuk shqetësohet aspak dhe vazhdon të këmbëngulë duke thërritur Messin, i cili nuk i përgjigjet. Në fund të ndeshjes dëshira e numrit 19 të Juventus plotësohet pasi ia del të shkëmbejë bluzen me fituesin e 5 Topave të Artë.