Humbje e madhe për artin!
Me mbi 50 vite karrierë në skenën teatrale dhe filmike e me rreth 170 role, ai ishte një nga aktorët më të mirë shqiptarë . Bëhet fjalë për aktorin e shquar të skenës së Teatrit të Dramës Turke dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit, Salaetin Bilal i cili ka ndërruar jetë ditën e sotme.
Ai u lind më 19 mars 1942 në Shkup, ku mbaroi arsimin e ulët dhe të mesëm, ndërsa studjoi në Teatrin e Stambollit. Që nga viti 1964 u bë pjesë e ansamblit të Dramës Turke pranë teatrit të kombësive në Shkup, sot Teatrit Shqiptar.
Gjatë karrierës së tij ai ka qenë pjesë e shumë projekteve në skenën e teatrit në Maqedoni, duke luajtur për dramën turke, dramën shqipe dhe dramën maqedonase. Por ishte pjesë e filmave vendas, si dhe atyre ndërkombëtarë. Bilali fliste gjuhën shqipe dhe gjuhën turke, njihte mirë gjuhën frenge dhe angleze, por, më mirë se çdo gjuhë tjetër, Bilali kuptonte dhe njihte gjuhën e artit.