Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot do mbahen zgjedhjet e mesit të mandatit për Presidentin Donald Trump. Ai para votimit ka bërë dhe një deklaratë të shkurtër: “Gjithçka kemi arritur është në lojë tani”, tha Trump.
Amerikanët gjithashtu do të votojnë për 435 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, 35 vende në Senat dhe për dhjetëra guvernatorë shtetesh.
Po kundërshtari i Trump ish-presidenti Barack Obama, që ka përveshur mëngët në fushatën e demokratëve të hënë tha se karakteri i vendit është te votat. Në një postim në Twitter, ai shkroi:
“Këto zgjedhje mund të jenë më të rëndësishmet në jetën e çdo amerikani. Zgjedhjet e mesit të mandatit do të vendosin se cila parti do të kontrollojë dy dhomat e Kongresit”.
Nëse republikanët mbajnë kontrollin e tyre në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, atëherë ata mund të ndihmojnë agjendën e Presidentit Trump. Por, nëse demokratët marrin kontrollin e njërës apo të dyja dhomave, ata mund të ndalin ose edhe të përmbysin planet e Trumpit.
Sipas sondazheve, demokratët mund të fitojnë 23 vendet që u nevojiten për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, e ndoshta edhe rreth 15 vende të tjera shtesë.