INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Brazil, votohet pro paditjes së presidentes

Brazil, votohet pro paditjes së presidentes

Publikuar më: 10:56 18-04-2016

Sipas medieve ndërkombëtare, kampi pro paditjes së Rusefit fitoi lehtësisht dy të tretat e votave në sallë pas një debati të gjatë në Dhomën e Ulët të Kongresit.

Është miratuar nisja e procedurave për paditjen e presidentes së Brazilit, Dilma Rusef, me akuzën se ajo manipuloi llogaritë e qeverisë.

Kundërshtarët e Rusefit siguruan 367 vota në Dhomën e Ulët, duke kaluar limit prej 342 që duheshin. Votimi nisi pas deklaratave të forta të deputetëve dhe liderëve partiakë në një seancë të transmetuar drejtpërdrejtë në televizione dhe gjithashtu në ekrane të mëdhenj në qendrat e qyteteve.

Tashmë, ky mocion do të dërgohet në Dhomën e Lartë të Kongresit, në Senat, i cili pritet që të pezullojë nga detyra presidenten Rusef ndërsa zhvillohet gjyqi.

Presidentja e Brazilit i ka mohuar akuzat dhe thotë se kundërshtarët e saj po organizojnë një grusht shteti. Partia e Punëtorëve, nga e cila Rusefi ka dalë, bëri me dije pas votës se tani beteja do të vazhdojë në Senat, i cili pritet që të konsiderojë këtë çështje në muajin maj.

Rusef akuzohet se manipuloi llogaritë e qeverisë për të mbuluar deficitin në rritje dhe për ta paraqitur performancën e qeverisë më mirë se sa ishte, para fushatës për zgjedhjen e saj në krye të vendit.

Article Logic
Execution time: 0.0035390853881836