Portieri Courtois ishte heroi i Belgjikës?
Belgjika shkakton surprizën e madhe në Kupën e Botës, duke eliminuar një nga favoritët e këtij edicioni, Brazili. Në “Kazan Arena” skuadra e Martinez ka fituar 2-1, në një ndeshje me dy “fytyra”. Një pjesë e parë e dominuar nga belgët, ndërkohë që në të dytën “Selecao” reagoi, por nuk mundi që të shmangte eliminimin.
Në minutën e 13-të, Fernandinho devijoi topin në portën e tij, gjatë një goditje nga këndi.
Kur u mbush gjysmë ore lojë, Kevin De Bruyne shënoi golin e dytë për belgët me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zone. Ai u bë futbollisti i 100-të që shënon në këtë Botëror, i nënti për Belgjikën.
15 minuta para fundit, Renato Augusto, i sapofutur në fushën e lojës, realizoi për Brazilin, me një goditje të saktë me kokë, pas pasimit të marrë nga Coutinho. Më pas, Augusto humbi mundësinë ideale për të realizuar barazimin.
Në sekondat e fundit belgët iu falën edhe një pritje të jashtëzakonshme të Thibaut Courtois, gjatë tentativës së Neymar. Belgjika do të luajë në gjysmëfinale ndaj Francës më 10 korrik në orën 20:00.