Flavio Qarri ftoi sot në studion e Kafein në IN Tv.al, Robert Budinën pas zhvillimeve të ditës së djeshme për çështjen e teatrit.
Budina, pjesëtar i "SASE", një nga sindikatat e artistëve që janë kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, foli për takimin e zhvilluar mes Kryetarit të Bashkisë Veliaj dhe aktorëve Derhemi dhe Trebicka e regjisorit Altin Basha.
Budina, i cili mbrëmjen e djeshme ishte prezent në protestën që vazhdoi tek teatri, deklaroi se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje mes palëve dhe se bëhej fjalë thjesht për një takim. Dukshëm i emocionuar, Budina shprehu keqardhjen e tij për politizimin dhe mbi të gjitha për përdorimin politik të artistëve.
I pyetur nga Flavio nëse artistët kishin ndryshuar qëndrim, ai tha se artistët janë konseguent në qëndrimet e tyre edhe pse ata e kanë të pamundur që të përçojnë mesazhin e tyre me të njëjtin efikasitet që veprojnë palët e tjera në këtë përballje.
Robert Budina kërkoi nga shikuesit dhe qytetarët e Tiranës që të kishin mirëbesim ndaj Arben Derhemit apo Alfred Trebickës pasi ata kurrsesi nuk mund të tradhëtonin kauzën e tyre.