Kapiteni dhe portieri legjendar i Italisë, Gianluigi Buffon, në konferencën për shtyp përpara ndeshjes në Palermo, ka shprehur vlerësim për kombëtaren shqiptare, për të cilën është shprehur se është një skuadër e cila meriton respekt.
"Shqipëria është një kombëtare që në dy vitet e fundit ka patur një proces rritje eksponenciale dhe këtë e dëshmoi edhe në Europianin e fundit, ku u përball si e barabartë me të gjitha. Është një ekip për t’u patur frikë, kemi respekt të madh dhe druajtjen e duhur per ndeshjen", është shprehur ai.
Nga ana tjetër kapiteni i azzurëve ka vlerësuar edhe performancën e kombëtares italiane, për të cilën shpreson që në mbrëmjen e sotme të konfirmojë edhe njëherë ecurinë e saj në ndeshjen e fundit të vlefshme për kualifikueset e Botërorit "Rusi 2018".
Ndeshja mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet mbrëmjen e sotme në orën 20:45 në Palermo, ku pritet një numër shumë i madh tifozësh kuqezi.