INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bujar Nishani dënon fjalorin që përdori Rama në Kosovë

Bujar Nishani dënon fjalorin që përdori Rama në Kosovë

Publikuar më: 16:35 26-11-2018

Ish-presidenti Bujar Nishani ka kritikuar fjalimin e kryeministrin Rama në Kosovë. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Nishani e cilësoi skandaloz dhe vulgar fjalorin e Ramës në aktivitetet zyrtare. Nishani po ashtu theksoi se përmbajtja e tezave të Ramës për raportet Shqipëri-Kosovë, qoftë në kontekstin rajonal ishin sipas tij jo vetëm djallëzore, por edhe të turpshme.

Pjesë nga deklaratat e Nishanit:
“Fjalimet dhe deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë ishin fund e krye një retorikë pa asnjë objektiv të qartë, pa asnjë raportim të angazhimeve të mëparshme në sa e sa takime e vizita të ndërsjellta.
“Mbështesim masat e marra të Kosovës ndaj Serbisë”, tha Kryeministri i Shqipërisë !
Po si, qysh, me çfarë aktesh ? Hic ! Asgjë !
Të thuash që ka vajtur atje i papregatitur është të neglizhosh të vërtetën e hidhur.
Ka 5 vjet, që sa herë takohet me autoritetet e Kosovës, sa herë bën mbledhje qeverie deklaron se ; “ do të unifikojmë doganat” !!
Asgjë konkrete në 5 vite !
Përsëri të njëjtën deklaratë retorike edhe sot në Pejë.
Ajo çka ishte më e rënda, ishte vijimi i tentativave nga Kryeministri i Shqipërisë për të fshehur praktikat destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe gjithë rajonit në tërësi.
Kryeministri i Shqipërisë vijon platformën e tij pro serbe e antirajonale që ka inicuar që nga dita e parë e hyrjes së tij në zyrën e Kreut të Qeverisë.
Ai vazhdon ta paraqesë Serbinë si një partnere model me Shqipërinë dhe jo aq të mirë me Kosovën !!!
Kjo tezë Ramiste nuk është gjë tjetër veçse një vasalitet i shëmtuar ndaj platformës së hegjemonisë Serbe në Ballkan.
Politikat, përpjekjet, investimet e gjithëfarllojshëme të Serbisë për destabilitetin e Ballkanit nuk janë thjesht “papajtueshmëri me Kosovën” por minim i stabilitetit, qetësisë e sigurisë të të gjithë popujve dhe vendeve të rajonit, përfshirë dhe Shqipërinë.
Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë dëshmuar tashmë në mënyrë të konsoliduar se janë për mirëkuptimin, bashkëpunimin, respektin reciprok dhe integrimin Euro-Atlantik.
Kryeministri i Shqipërisë nuk mundi ta thoshte dot këtë dhe të denonconte manovrat krejt në kah të kundërt të të vetmit vend të këtij rajoni, Serbisë, e cila vijon të mos heq dorë nga tentativa për hegjemoni ndaj të gjithë të tjerëve.
Kryeministri i Shqipërisë flet për projekt “partneriteti strategjik të Shqipërisë me Serbinë”, por ajo të mos i kërkoj Kosovës të citojë “Metohinë” !!!!
Ky na qenka problemi që po shkaktoka Serbia ????
O tempora ! O mores !!!
Kryeministri i Shqipërisë, nga Peja, më shumë sulmoi dhe lëshoi fyerje ndaj Bashkimit Evropian se sa denoncoi dhe dënoi qëndrimet ekstremiste dhe hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën e mbi të gjithë Rajonin.
Këtë herë, ky kryeministër shkoi ne Pejë për të shpallur Europën si armike të Kosovës dhe Serbinë si partnere të mundëshme strategjike të Shqipërisë !
O tempora ! O mores !”

Article Logic
Execution time: 0.0038650035858154