INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bujar Nishani: Xhafaj i papërshtatshëm për ministër

Bujar Nishani: Xhafaj i papërshtatshëm për ministër

Publikuar më: 18:44 19-03-2017

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar pasditen e sotme një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, nisur nga situata politike në vend.

Në fjalën e tij Kreu i Shtetit u ndal tek protesta e opozitës, zgjedhjet parlamentare dhe ndryshimet në kabinetin qeveritar.

 

Pas vendimit për largimin e 4 ministrave, kreu i Qeverisë Edi Rama, i ka dërguar në Presidencë që të hënën emrat e 4 ministrave të rinj për dekretim.

Një prej propozimeve, ai për Ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka shkaktuar zhurmë, për shkak të aktivitetit të tij si jurist para viteve 1990. Opozita që prej momentit kur kryeministri Edi Rama propozoi emrin e Xhafës për Ministër të Brendshëm, nisi një fushatë të ashpër sulmesh, duke thënë se ka keqtrajtuar dhe urdhëruar burgime politike gjatë kohës kur ushtronte detyrën si prokuror në Krujë. Nisur nga kjo, opozita i ka kërkuar Presidentit Nishani të mos dekretojë Fatmir Xhafajn në postin e ministrit të Brendshëm.

Në fjalën e tij gjatë konferencës, Kreu i Shtetit theksoi se pavarësisht diskutimeve të ditëve të fundit dhe akuzave nga opozita, Kushtetuta nuk i jep atij të drejtën për të refuzuar.

“Jemi në një situatë ku opozita prej një muaji proteston. Dhe së dyti jemi në prag zgjedhjesh, dhe kjo situatë e tensionuar nuk e favorizon aspak fushatën zgjedhore. Opozita ka artikuluar kërkesën për zgjedhje të lira. Në këtë kontekst po bëhen edhe këto lëvizje me vendimmarrje kryesisht politike në kabinetin e ministrave.

Më e veçanta është tek Ministria e Brendshme, për një sërë arsyesh. Së pari, për fatin e keq është konstatuar një politizim i skajshëm i policisë së shtetit, çka e dëmton në tërësi situatën parazgjedhore. Për shkak gjithashtu se tashmë jo vetëm është konstatuar, por edhe adresuar shqetësimi i madh i aktorëve të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë për përmasat shumë shqetësuese që ka marrë trafiku i kanabisit. Kjo situatë kërkon një vëmendje shumë të madhe drejtpërsëdrejti te Ministria e brendshme, sepse ky institucion ka një rol parësor në menaxhimin e procesit zgjedhor. Përmes policisë ka rëndësi në garantimin e rendit dhe sigurisë.

Ky dimension i garantimit të sigurisë deh rendit i jep prioritet Ministrisë së Brendshme. Ky institucion ka rëndësi në lidhje me funksionimin dhe garantimin e infrastrukturës së nevojshme nga pushteti lokal. Prefektët janë nën varësinë e ministrit të Brendshëm”, tha Presidenti Nishani.

Nishani tha se kandidatura e Fatmir Xhafajt si ministër i brendshëm është e papërshtatshme, por ai nuk mund ta refuzoje pasi nuk ja lejon Kushtetuta.

“Kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme, por Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër pasi i vetmi kusht që përcakton Kushtetuta për Presidentin është te shohë plotësimin e kritereve për të qenë deputet. Në rast se Kushtetuta do ia njihte të drejtën për të refuzuar, unë do e refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm, por në kushtet kur Kushtetuta nuk ia jep ketë te drejtë, besoj dhe shpresoj që ai institucion te cilit ia njeh Kushtetuta ketë të drejte, që është Parlamenti do gjykojë dhe vlerësojë të gjitha rrethanat, situatën politike dhe specifikën që ka jeta shoqërore e politike që janë zgjedhjet e ardhshme politike”, tha Nishani.

Article Logic
Execution time: 0.0044898986816406