INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Burg për shqiptarin më të urryer në SHBA

Burg për shqiptarin më të urryer në SHBA

Publikuar më: 08:33 14-09-2017
Martin Shkreli, ish-drejtori i kompanisë farmaceutike Turing, do të qëndrojë në burg me urdhër të gjykatëses së çështjes, e cila arriti në përfundimin se shqiptaro-amerikani i etiketuar si njeriu më i urryer i Amerikës për rritjen e skajshme të çmimit të një medikamenti kundër SIDA-s, kishte shkelur paktin e lirimit me kusht. Shkreli ka postuar një mesazh në Facebook që, sipas gjykatëses, përbënte kërcënim për ish-kandidaten presidenciale Hillary Clinton. Vetëm një muaj më parë, 34-vjeçari u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në dy fonde financiare të administruara prej tij, por deri në shpalljen përfundimtare të dënimit nga mesi i muajit janar, i ishte dhënë lirimi me kusht. Në postimin që do ta lërë pas hekurave, Shkreli ofronte 5 000 dollarë për këdo që do t’i shkulte Clintonit një fije floku gjatë turit që ajo po bën për promovimin e një libri të ri. Avokatët e tij mbrojtës u përpoqën të argumentojnë se mesazhi nuk ishte gjë tjetër veçse një satirë politike. Por, gjyqtarja Kiyo Matsumoto nuk e pa atë me humor e tha se oferta mund të merrej seriozisht nga kundërshtarët e ish-kandidates demokrate. Një gjë e tillë nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë, tha gjyqtarja. Autoritetet qeveritare patën deklaruar se mesazhi në Facebook i kishte vënë në alarm pjesëtarët e shërbimit sekret që mbron ish-Zonjën e Parë.
Article Logic
Execution time: 0.0040481090545654