INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Bushati: Ngjarjet në Ankara, Berlin e Zyrih nuk duhet të na përkulin

Bushati: Ngjarjet në Ankara, Berlin e Zyrih nuk duhet të na përkulin

Publikuar më: 18:47 20-12-2016

Ministri Ditmir Bushati ka dënuar ngjarjet e fundit në Ankara, Berlin dhe Zyrih, që tronditën opinionin publik. Kreu i Ministrisë së Punëve të Jashtëme tha se këto ngjarje të kobshme synojnë të mbjellin pasiguri. “Atentati ndaj Ambasadorit Rus në Ankara; përsëritja, sipas të gjitha gjasave në Berlin, e aktit makabër të ndodhur më parë në Nice; si dhe sulmi para një xhamie në Zyrih, synojnë të mbjellin pasiguri e të mbajnë gjallë psikozën e terrorit dhe kërcënimin ndaj normave të bashkëjetesës ndërkombëtare” deklaron Bushati.

Ministri thotë se, asnjë padrejtësi nuk mund të justifikojë vrasjen dhe terrorin. “Ndajmë dhimbjen e familjeve të viktimave duke shprehur vendosmërinë për të vazhduar luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”-është shprehur kreu i diplomacisë shqiptare ndërsa ka shtuar se “kjo situatë nuk duhet të na përkulë e as të na detyrojë të bëjmë kompromis me vlerat dhe objektivat tona”.

Ai ka komentuar edhe situatën në Siri dhe faktin se “Shqipëria e mirëpret miratimin unanim nga Këshilli i Sigurimit të rezolutës për vëzhguesit në Alepo, aksesin për ndihmat humanitare, evakuimin e civilëve si dhe mbrojtjen e spitaleve”.

Article Logic
Execution time: 0.0035388469696045