INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Buzëqeshin

Buzëqeshin "ëndërrimtarët", Trump arrin marrëveshjen për emigrantët

Publikuar më: 09:28 14-09-2017
Dy krerë demokratë arritën me Presidentin Donald Trump një marrëveshje që mbron nga deportimi mijëra emigrantë të rinj pa dokumente të rregullta. Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer njoftuan se me shefin e Shtëpisë së Bardhë ranë gjithashtu dakord të punojnë për një paketë sigurie kufitare e cila nuk përfshin propozimin e Trumpit për ngritjen e murit të shumëdiskutuar në kufi me Meksikën. Shtëpia e Bardhë megjithatë mohon që muri të përjashtohet nga propozimet e paraqitura. Më e rëndësishmja për momentin është çështja e skemës DACA, e miratuar në kohën e Barack Obama, një projekt që i ofronte mbështetje të rinjve të dërguar ilegalisht në Amerikë prej prindërve të tyre që fëmijë. Në fillim të muajit, Trump vendosi mbylljen e programit që mbron gati 800 000 vetë në SHBA, të cilëve u ofron njëkohësisht mundësi punësimi e studimi. Presidenti deklaroi në 4 shtator se skema do të mbyllej dhe Kongresit i la 6 muaj kohë në dispozicion për gjetjen e një plani zëvendësues. Pelosi deklaroi pas takimit të një dite më parë se Presidenti pranoi që parimet mbrojtëse të DACA-s të bëhen pjesë e një legjislacioni të ri, e kjo është e pranueshme nga të dyja palët.
Article Logic
Execution time: 0.0033590793609619