INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ç’po ndodh me klimën dhe dëmet që po sjell?[VIDEO]

Ç’po ndodh me klimën dhe dëmet që po sjell?[VIDEO]

Publikuar më: 10:05 16-08-2017

Verë me temperatura ekstreme, rrebeshe apo dhe përmbytjet masive. Dimra të ngrohtë! Të gjitha këto fenomene natyrore sa vijnë dhe përkeqësohen në botë dhe në vendin tonë.  Eksperti, Abdulla Diku ka bërë një analizë referuar të dhënave botërore në lidhje me klimën.
Sipas tij situata nuk është përmirësuar, pasi në raportin e 27-të vjetor të Klimës është konfirmuar se viti 2016 e mbylli ashtu si dhe 2015-ta si viti më i nxehtë në 137 vjet të regjstrimit të të dhënave për klimën. Raporti nënvizon faktin se shumica e treguesve të ndryshimeve klimatike vazhduan të ndjekin tendencat e një bote në ngrohje. Ndërkohë që disa elementë të veçantë, duke përfshirë temperaturat e tokës dhe të oqeanit, nivelin e detit dhe përqëndrimet e gazeve serrë në atmosferë thyen rekordet e vëna vetëm një vit më parë 2015. Sipas të dhënave ngrohja rekord e vitit 2016 rezultoi nga ndikimi i kombinuar i ngrohjes afatgjatë globale dhe një El Nino i fortë që u shfaq në fillim të vitit.
Ky “kontroll” vjetor i planetit, i udhëhequr nga studiuesit e Qendrës Kombëtare për Informacionin Mjedisor, pjesë e Administratës Kombëtare për Oqeanet dhe Atmosferën (NOAA) bazohet në kontributet e më shumë se 450 shkencëtarëve nga rreth 60 vende të botes. Raporti siguron një përditësim të hollësishëm mbi treguesit e klimës globale, ngjarjet e dukshme të motit dhe të dhëna të tjera të mbledhura nga toka, uji dhe hapësira.

Gjetjet e kryesore nga raporti:

Gazet serë ishin më të lartat në rekorde. Përqendrimet e mëdha të gazeve serrë, duke përfshirë dioksidin e karbonit (CO2), metanin (CH4) dhe oksidet e azotit (NOx), u rritën në vlera rekord në vitin 2016. Përqendrimi mesatar global i CO2 i vitit 2016 ishte 402.9 pjesë për milion (ppm), me një rritje prej 3.5 ppm krahasuar me 2015. Kjo përfaqëson rritjen më të madhe vjetore e vërejtur në regjistrimin 58-vjeçarë të këtij elementi. Përqëndrime të tilla të gazeve serë përfaqësojnë rekordin e matjeve moderne në atmosferë si dhe në regjistrimet bazë të akullit që datojnë deri në 800,000 vjet nga sot. Theksojmë se periudha të tilla afatgjata verifikimesh, tejkalojnë me të paktën 8 herë periudhat e ligjësive natyrore të ekspozimit të tokës ndaj diellit (ciklet e Milankoviç).

Temperatura globale e sipërfaqes ishte më e larta në rekorde. E shkaktuar pjesërisht nga El Nino në fillim të vitit, temperatura e kombinuar globale e tokës dhe e oqeanit ne vitin 2016 ishte në vlera rekorde të larta për të tretin vit me radhë (2014, 2015 dhe 2016), sipas katër analizave globale. Rritja e temperaturës varionte nga +0.45 °C deri ne + 0.56 °C mbi mesataren e periudhës 1981-2010.
Disa vende, duke përfshirë Meksikën dhe Indinë, raportuan vlera të larta të temperaturave vjetore, ndërsa shumë të tjera vëzhguan rekordin e afërt. Një valë e nxehtë një javore në fund të Prillit 2016 mbi veriun dhe lindjen e gadishullit Indian, me temperatura që tejkalonin 44 °C, ndikoi në një krizë uji për 330 milion njerëz dhe shkaktoi 300 viktima.

Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit ishte më e larta në rekord. Sipas katër grupeve të pavarura të analizuara, temperatura mesatare e sipërfaqes së detit për 2016 ishte 0.36-0.41 0C më e lartë se mesatarja e periudhes 1981-2010 duke tejkaluar kështu rekordin e mëparshem të vendosur në 2015 me 0,01-0,03 0C.

Ngrohja e oqeanit ishte afër rekordeve të larta. Nxehtësia në shtresën e sipërme të oqeanit, deri në 700 metra thellësi, pa një rënie të lehtë krahasuar me rekordin e lartë të vendosur në vitin 2015. Gjetjet janë në përputhje me një tendencë të vazhdueshme të ngrohjes së oqeaneve.

Niveli global i detit ishte më i larti i regjistruar ndonjëherë. Mesatarja globale tregon se niveli i detit u rrit me një rekord të ri në 2016, dhe ishte rreth 8.2 cm, duke qenë kështu edhe më i lartë se ai i vërejtur në vitin 1993, kur filloi majtja satelitore për nivelin e detit.

Shtresa e akullit të detit Arktik ishte afër rekordeve më të ulëta. Në Arktik, temperatura e sipërfaqes së tokës 2016 ishte 2.0 °C mbi mesataren e periudhës 1981-2010, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2007, 2011 dhe 2015 me 0.8 °C, dhe duke përfaqësuar një rritje prej 3.5 °C që kur matjet filluan në vitin 1900. Temperaturat kanë çuar në zvogëlimin e shtrirjes dhe trashësisë së akullit të detit Arktik. Shkalla e mbulesës së akullit të detit Arktik arriti vlerat minimale në Mars 2016 duke përfaqësuar kështu rekordin në të dhënat 37-vjeçare të të dhënave satelitore, ndërsa shkalla minimale e akullit në Shtator 2016 ishte e dyta vlerë rekord, pas situatës së vitit 2007. Shtresa e akullit ishte rreth 7% më vogël se mesatarja e periudhës 1981-2010 (në Mars) dhe në Shtator të po atij viti, shtresa e akullit ishte rreth 33% më e vogël se mesatarja e periudhës 1981-2010. Tërheqja e akullnajave alpine ka vazhduar në të gjithë globin, dhe të dhënat paraprake tregojnë se 2016 është viti i 37-të radhazi i një bilanci negativ vjetor në raport me pakësimin e volumit të tyre.

Ciklonet tropikale ishin në përgjithësi mbi mesataren. Janë shënuar 93 ciklone tropikale në të gjitha basenet oqeanike në vitin 2016, një shifër kjo mbi mesataren prej 82 ciklonesh të mesatares së periudhës 1981-2010. Të tre bazenet - e Atlantikut të Veriut dhe ato të Paqësorit Lindor dhe Perëndimorë - përjetuan aktivitete mbi-normale në 2016.
Thatësira ishte gjithashtu në nivele rekord. Për çdo muaj, të paktën 12% e sipërfaqeve të tokës përjetuan kushte të rënda të thatësirës. Në pjesën verilindore të Brazilit, kushtet e thatësirës u vunë re për të pestin vit radhazi, duke e bërë këtë një thatësirë më të zgjaturën në rajon. Kjo ishte thatësira më e madhe e Bolivisë në 25 vitet e fundit. Në Maj, me kushtet anormale të nxehtit dhe thatesirës që mbizotëronin mbi Kanadanë perëndimore për rreth një vit, zjarret e shkaktuara nga njeriu dogjën rreth 590,000 hektarë me pyje dhe u bënë kështu katastrofa më e shtrenjtë në historinë Kanadeze, me rreth 3 miliard dollarë humbje (afro 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë).

Disa nga anomalitë e vërejtura për klimën në vitin 2016;
-    Europa përjetoi vitin e sajë të tretë më të nxehtë në 107 vite, që kur matjet e temperaturave filluan në kontinent (vitet më të nxehta ishin 2014 dhe 2015). Dimri i vitit 2016 ishte dimri më i ngrohtë në historinë e matjeve.
-    Azia përjetoi vitin e tretë më të nxehtë në histori (2015 ishte viti i dytë më i nxehtë dhe 2007 viti më i nxehtë)
-    Kina përjetoi vitin më të lagësht që nga 1951, kohë kur ka filluar regjistrimi i reshjeve.
-    India e raportoi vitin 2016 si më të nxehtin e sajë, duke filluar që nga viti 1901. Dhjetë vitet më të nxehta në këtë shtet nisin pas vitit 2000.
-    Australia përjetoi vitin e katërt më të nxehtë në historinë e sajë 107 vjeçare të regjistrimneve të temperaturës. Tazmania përjetoi të nxehtin rekord. Nëntë nga 10 vitet e fundit (përjashtuar vitin 2010) kanë qenë vitet më të nxehta në histori.
-    Akulli në Antrarktidë përjetoi minimumin e tijë, krahasuar me vlerat maksimale që kishte në vitet 2012-2014.

foto0.png

 

Article Logic
Execution time: 0.0038509368896484