Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në takim ambasadoren gjermane në vendin tone, Susane Schutz e cila përfundon misionin e saj në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij Ruçi tha se zgjedhja për krizën politike në vend mund të vijë vetëm përmes dialogut, pa shkelur vijat e kuqe.
“Zgjidhja mund të vijë vetëm nëpërmjet dialogut, por pa shkelur vijat e kuqe të këtij dialogu, të cilat janë Kushtetuta e ligji dhe pakthyeshmëria e reformës në drejtësi. Gjithashtu Kuvendi ka krijuar të gjitha mundësitë që opozita parlamentare dhe joparlamentare të bashkëpunojnë për vazhdimin e reformave, përfshirë edhe reformën në drejtësi", tha Ruçi
Ndërsa ambasadorja në largim, Schutz u shpreh e lumtur për eksperiencën në vendin tonë teksa deklaroi se Gjermania do vijojë të mbështesë rrugëtimin europian të Shqipërisë pasi edhe vetë kancelarja Merkel është e angazhuar në këtë proces.
“Unë jam e lumtur që kam punuar në një vend mahnitës dhe me një të ardhme të shkëlqyer. Gjermania do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Kancelarja Merkel është shumë e angazhuar për këtë proces”, vuri në dukje ambasadorja Schutz.