Media sociale më e madhe dhe më e përdorur në botë, Facebook tashmë është kthyer edhe në rrjetin më të diskutuar për shkak të skandaleve në të cilat është përfshirë.
Ditën e martë themeluesi i saj Mark Zuckerberg do të dalë përballë Parlamentit Europian për cënimin e privatësisë së mijërave përdorueseve nga Cambridge Analytica.
Megjithatë dhe kjo përballje nuk ka kaluar pa u ndjerë, pasi në fillim u diskutua se mbledhja do të realizohej në mënyrë private larg syrit të publikut, mjaftoi kaq që në rrjetet sociale të shpërthenin pakënaqësitë.
Shumë persona e quajtën këtë vendim si të padrejtë.
"Është e turpshme se si Zuckerberg premton më shumë transparencë, por nuk dëshiron të bëjë deklarata publike në Parlamentin Europian. Facebook vepron në një platformë publike dhe prandaj duhet të marrë publikisht përgjegjësinë për veprimet e saj" deklaroi Deputeti gjerman i Partisë Jeshile, Sven Giegold.
Nisur nga kjo më shumë se 30,000 njerëz nënshkruan një peticion që gjykimi i Mark të shfaqej online siç ndodhi me kongresin Amerikan.
Kjo bëri që plani të ndryshoj, nesër Zuckerberg do të jetë përballë të gjithëve dhe Parlamentit Europian për 75 minuta, ku do të përballet me pasojat e skandalit ku privatësia e 87 milionë përdorueseve u cënua./intv.al/