Nga sot Shqipëria do të ketë për herë të parë udhërrëfyesit turistikë të çertifikuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Janë gjithsej 159 udhërrëfyes turistikë që sot u pajisën me çertifikatë dhe me bexhën zyrtare, të cilat do të jenë dokumentet zyrtare që do paraqesin këto guida për të ushtruar profesionin e tyre, të rregulluar tashmë në bazë të ligjit "Për Turizmin" (93/2015). Këta emra do të jenë tashmë të afishuar në regjistrin e udhërrëfyesve të Shqipërisë, që do të afishohet në websiten e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Ministrja Milva Ekonomi, duke shprehur emocionin e saj për realizimin e këtij objektivi, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe i shumëpritur për gjithë ata njerëz që kanë punuar pa u ndalur në këtë profesion, që deri tani ka qenë i parregulluar. “Duke filluar nga ky moment, ju do të bëheni udhërrëfyes me një bexhe personale, të lëshuar nga një autoritet i cili ka dimensionin në lëshimin e kësaj çertifikate, që ia njeh ligji. Jo vetëm kaq, por ky autoritet ka menduar edhe për mënyrën se si ju do ngrini dijet tuaja profesionale në muajt në vijim”,- u shpreh Ministrja Ekonomi.
Ajo tha se numri i turistëve është në rritje, pasi vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 15% më shumë turistë se në 2015 dhe kjo është meritë e të gjithë atyre që punojnë në industrinë mikpritëse përfshi dhe udhërrëfyesit. Ministrja falënderoi të gjithë udhërrëfyesit e parë të çertifikuar, për punën e tyre të deritanishme dhe për faktin që nuk hoqën dorë asnjëherë nga besimi se ky sektor duhej rregulluar. Ajo u uroi shumë suksese udhërrëfyesve zyrtarë të Shqipërisë në punën e tyre për ta prezantuar sa më bukur vendin tonë dhe për të tërhequr sa më shumë turistë në Shqipërinë tonë të bukur.
Një nga udhërrëfyesit më të vjetër shqiptarë, Ilir Mati, i cili këtë profesion e ka nisur që në 1991, kur ende nuk mund të quhej profesion, u shpreh mjaft i emocionuar për këtë arritje, për faktin se sot janë 159 guida të rinj e të reja që do e vazhdojnë këtë mision të bukur.
Në fund u shpërndanë 159 certifikata dhe bexha për secilin prej udherrëfyesve. Kjo është faza e parë e procesit të çertifikimit të plotë që do të përfundojë me 30.09.2018. Në përfundim të kësaj periudhe udhërrëfyesit e çertifikuar duhet të kenë plotësuar të gjitha kërkesat ligjore për kualifikimin profesional të shprehura në kurrikulat e udhërrefyesve turistikë sipas kategorive përkatëse, të cilat gjenden në Udhëzimin e Përbashkët, në bazë të Ligjit për Turizmin. Trajnimeve sporadike (edhe pse shumë të domosdoshme) deri më sot, do t'ja zerë vendin platforma e përhershme e trajnimeve e shoqëruar me skemën e krediteve si për ata që për herë të parë i futen kësaj veprimtarie ashtu edhe për ata që në bazë të krediteve të nevojshme do të rinovojnë çertifikatën e tyre si udhërrëfyes.