Ministri i jashtëm maqedonas, Nikolla Dimitrov, ka deklaruar se negociatat Athinë – Shkup për çështjen e emrit ndodhen në stadin përfundimtar.
Ai ka shtuar se brenda kësaj jave pritet që kryeministri grek si dhe ia maqedonas të zhvillojnë një bisedë telefonike.
Dimitrov ka thënë se ai shpreson që do të arrihet një marrëveshje deri në samitin e BE-së të 28 qershorit.
Të dielën, Dimitrov u takua në Bruksel me homologun grek, Nikos Kotzias, në vazhdim të kontakteve që kishin filluar në Nju Jork javën e kaluar. Sipas tij, ai pati “një takim të mirë” me ministrin e jashtëm grek.
Dimitrov i bëri këto deklarata në përfundim të takimit që zhvilloi të hënën paradite me ministrat e jashtëm të BE-së. Sa u përket negociatave, ministri i jashtëm maqedonas tha se ato po vazhdojnë në nivel teknik me ekspertë të fushës juridike.
Ai tha se i informoi ministrat mbi ecurinë e negociatave me Athinën, mbi përpjekjet që po bëhen “edhe në nivel dypalësh” për zgjidhjen e çështjes së emrit, si dhe mbi rëndësinë që do të kishte për gjithë rajonin zgjidhja e mosmarrëveshjes 28- vjeçare me Greqinë.
Ndërkohë shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, ka deklaruar se një marrëveshje e mundshme ndërmjet të dy vendeve do të finalizohet nga dy kryeministrat, Tsipras e Zaev.
“Dy ministrat e jashtëm përfunduam atë që na kishin ngarkuar kryeministrat e të dy shteteve. Sot dhe ndoshta edhe neser do të vazhdojnë negociatat në nivel ekspertësh për çështje teknike dhe juridike që duhen trajtuar” deklaroi Kotzias.
Deklarata e ministrit të jashtëm grek vjen pas parashikimit që shprehu homologu i tij, Nikolla Dimitrov, se ai shpreson që të arrihet një marrëveshje deri në samitin e BE-së të 28 qershorit.
Kënaqësinë e Brukselit për “progresin që është shënuar” në negociatat Athinë-Shkup, e ka shprehur edhe përfaqësuesja e lartë e BE për politikën e jashtme, Federica Mogherini.
‘’Inkurajohemi nga progresi që u shënua, veçanërisht në negociatat midis Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit”, deklaroi Mogherini.