Përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit për Rendin e Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj akuzoi sot ministrin e brendshëm, Saimir Tahiri se ka garantuar paprekshmwri pwr Durim Bamin, i cili qarkullonte me armw pa leje. Sipas tij, Durim Bami ka thyer vendimin e arrestit shtëpiak nga gjykata.
"Saimir Tahiri është kapur në një tjetër aferë kriminale. Duke ofruar shërbimin e tij, ka garantuar paprekshmëri për Durim Bamin, i cili u denoncua nga qytetarët pasi me 21 maj, në orën 17.00, ky i fundit ishte në një lokal në qendër të Niklës, i pajisur me armë pa leje e me veshje antiplumb, edhe pse gjendet nën masën e sigurisë arrest shtëpie dhe e ka të ndaluar me vendim gjykate të dalë nga banesa. Dhe është pikërisht policia e Tahirit që duhet të garantojë zbatimin e këtij vendimi gjykate", u shpreh Alibeaj.
Sipas tij, me ndihmën e shefit të komisariatit, Erjon Ismaili, pjesë e grupit të besuar Shullazi-Tahiri, Bamit i janë ofruar lehtësi.
"Një nga ushtarët e tij është paraqitur dhe është lejuar ta marrë përsipër ai, përgjegjësinë për armët dhe pajisjet e tjera të paligjshme. Kështu Bami i shpëtoi procedimit, me një ndërhyrje të kontrolluar nga fillimi deri në fund prej Saimir Tahirit", tha Alibeaj.