Çështja e emrit të Maqedonisë, negociatat e të cilës janë zhvendosur në SHBA, vijon të tërheqë vëmendjen për arritjen e një kompromisi mes palëve. Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias, ka deklaruar se Greqisë nuk i bëhet asnjë presion nga partnerët për çështjen e emrit të Maqedonisë.
Këtë deklaratë Kotzias e bëri pas takimit me sekretarin amerikan të shtetit Mike Pompeo në Uashington.
Kotzias u tha gazetarëve se çështja e Maqedonisë nuk u diskutua me sekretarin Pompeo, por me ndihmës sekretarin për çështjet e Europës dhe Euroazisë, Wess Mitchell.
“Në çështjen e emrit ne mbështesim opsionin e adoptimit të një prej emrave që ka propozuar negociatori Mattheë Nimetz, dhe të avancojmë në konkretizimin e një projekti bashkëpunimi miqësor në të ardhmen me këtë vend, me emrin e tij të ri. Askush nuk na nxiton për asgjë, sepse Greqia ka iniciativën e lëvizjeve në këtë çështje dhe të gjithë po ndjekin në mënyrë pozitive se si një vend me politikë të jashtme aktive promovon zgjidhjet”, deklaroi Kotzias.
Ndër emrat që ka propozuar negociatori Nimetz, përfshihet edhe ai Gorna Makedonija (Maqedonia e Epërme), që jozyrtarisht thuhet se pranohet nga të dy palët.
Sipas njoftimit për shtyp të Departamentit të shtetit, Mike Pompeo ka përgëzuar Greqinë për rolin udhëheqës në rajon dhe veçanërisht në Ballkan.
“Sekretari Pompeo ka vlerësuar Greqinë për rolin udhëheqës në rajon, përfshirë përpjekjet për të adresuar sfidat në Ballkan dhe në Mesdheun Lindor. Sekretari gjithashtu ofroi mbështetje të vazhdueshme për rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë dhe theksoi rëndësinë që SHBA po i jep rolit të saj si vendi i nderuar në panairin ndërkombëtar të Selanikut 2018”, thuhet në njoftimin për shtyp të departamentit të shtetit.