INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
'Çështja Tahiri'/ Prokuroria merr vendimin, Saimir Tahiri nuk 'shpëton' akoma nga hetimi...

'Çështja Tahiri'/ Prokuroria merr vendimin, Saimir Tahiri nuk 'shpëton' akoma nga hetimi...

Publikuar më: 11:36 16-01-2019

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të zgjasë edhe 3 muaj hetimet për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Shkak për shtyrjen e hetimeve, janë bërë sërish letër-porositë. Më herët, prokurorët e dosjes kanë dërguar letër-porosi në Itali, ku kërkojnë informacione nga prokuroria e Katanias dhe një tjetër në Malin e Zi, por përgjigjet e tyre, sipas prokurorisë, ende nuk kanë mbërritur.

Afati përfundon ditën e nesërme, por prokurorët e çështjes në mbledhjen e zhvilluar, kanë vendosur të shtyjnë sërish afatin me tre muaj, deri në prill të këtij viti.

Hetimet ndaj ish-ministrit nisën në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur disa herë afat e hetimet, pasi nuk ka mundur të sigurojë të gjitha provat që implikojnë Tahirin në trafikun e drogës me Habilajt.

Ndërkohë një javë me parë grupi i prokurorëve vendosi ndarjen e dosjes dhe dërgimin në gjyq për 9 të pandehur, mes te cilëve edhe Habilajt për katër akuza.

Aktualisht kanë mbetur në hetim tre ish drejtues të policisë dhe ish ministri i Brendshëm të cilët akuzohen se kanë qenë pjesë dhe kanë ndihmuar në trafikun ndërkombëtar të lëndës narkotike.

Në 12 Maj, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë arrest shtëpie për Tahirin, vendim i cili u prish nga Gjykata e Apelit dy javë më vonë.

Aktualisht Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë. Ish-Ministri i Brendshëm akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve për trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërdorim detyre.

Prokuroria e akuzon edhe për korrupsion ish-ministrin, pasi ka përfituar dhurata nga Habilajt për shkak të ndihmës që ka dhënë. Pavarësisht akuzave, ish-ministri gjithmonë i ka mohuar ato. Ndërsa prokuroria e Katanias pak muaj më parë vendosi pushimin e hetimeve pasi nuk gjeti prova për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës.

Article Logic
Execution time: 0.0034201145172119