INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Çfarë e bënte dikur të lumtur fëmijërinë tonë? Një duartrokitje për gjyshërit tanë, ju lutem!

Çfarë e bënte dikur të lumtur fëmijërinë tonë? Një duartrokitje për gjyshërit tanë, ju lutem!

Publikuar më: 11:34 25-05-2018
Nga Anisa Bega
 
Ndonjëherë bëhemi edhe nostalgjikë për momentet e bukura që kemi kaluar dikur.
Sot po ndalem, te fëmijëria e cila është një periudhë që gjithmonë do jetë e pranishme në zemrat tona. Nuk dua të dal në përfundimin se, sot fëmijët nuk kalojnë aq bukur, sa ne dikur. Dua të shpreh, disa nga gjërat që besoj të gjithë i mbajmë mend, psh: thjeshtësia dhe gadishmëria e njerëzve për të bërë gjëra të bukura dhe të shijonin me njëri-tjetrin me aq sa mundësi që kishin, momentet e bukura.
 
Mungesa e internetit, luksi jo i tepërm dhe mungesa e ambicies si sot, dikur ka ndikuar që edhe fëmijët të ishin më të lumtur dhe të bënin gjëra të bukura. Dua që këtë shkrim t’ja dedikoj gjyshërve tanë. Nga ana e babit kam njohur për shumë pak vite, vetëm gjyshen, në Tiranë dhe mbaj mend që mblidheshim të gjithë mbi 15 veta, për dreka ose darka. Shikojmë tani  fotot me motrën dhe themi ( paskemi bërë festa të bukura që atëhere ne). Me aq mundësi sa kishin njerëzit, secili kontribonte për ta mbushur tavolinën dhe krijohej një atmosferë e këndshme si familje. Besoj edhe ju keni foto në shtëpitë e gjyshërve, duke ngrënë familjerisht me hallat, dajat, xhaxhallarët, tezet dhe kushërinjtë. Ndërsa  gjyshërit nga ana e mamit, i takoja kur shkoja me pushime. Ata jetonin në një fshat të bukur të Fierit, Libofshë. Nuk do i harroj asnjëherë, nisjet me tren që në 6 të mëngjesit nga Tirana, ku 3 familje mblidheshim dhe shkonim te gjyshërit tanë të cilët na prisnin plot dashuri. Me aq kushte sa kishin, nuk na mungonte asgjë, argëtoheshim në natyrë, kishin ushqim bio dhe flinim edhe në tokë për të shijuar argëtimin të gjithë së bashku.
 
Nuk kishte gjë më të bukur, sepse nuk llogaritej : sa dhoma keni për të qëndruar disa persona në një shtëpi, sa ushqim do konsumonim, sa zhurmë do bënim, etj. Ne kishim diçka që nuk blihet as me pasurinë më të madhe në botë: dashurinë për njëri-tjetrin dhe gjyshërit më të dashur. Ata sakrifikonin veten e tyre, vetëm që ne të kënaqeshim dhe as nuk i shkonte ndërmend të mendonin për veten e tyre. Deri sa iknim, na përcillnin dhe nuk largoheshin pa u nisur treni. 
 
Të gjithë ju që po e lexoni këtë artikull, ndoshta i keni ende gjallë gjyshërit, ndoshta njëri prej tyre nuk jeton më, ose nuk keni asnjërin prej tyre, por jam e sigurtë që tani duhet të duartrokasim për momentet e paharrueshme që na kanë falur dhe dashurinë pa limit që na kanë dhënë.
Article Logic
Execution time: 0.0037178993225098