Pak ditë më parë dy këngëtarët e njohur Bruno dhe Klajdi Haruni publikuan projektin e tyre më të fundit muzikor me titull ‘Oj lulije’, i cili u prit mjaft mirë nga të gjithë fansat e dyshes. Të shumtë ishin ata të cilët vendosën të realizonin video të ndryshme teksa kërcenin nën ritmet e ‘lulijes’. Pas këtij momenti dy artistët bënë të ditur se videoklipi i këtij projekti do të realizohej nga vetë njerëzit që e kanë kënduar dhe dëgjuar këngën duke e shijuar në maskimum.
Në këtë mënyre ndjekësit e Brunos dhe Klajdit dërguan të gjitha videot ku shfaqeshin në makinë, shtëpi apo ambiente të tjera duke kërcyer me këngën ritmike. Ndërsa pasditen e sotme djemtë kanë prezantuar rezultatin final, duke sjellë për publikun një videoklip të realizuar nga fansat e tyre.
Megjithatë nëse do të kthehemi pas në kohë, kjo nuk është hera e parë që pjesëtarët e grupit ‘ThreeDots’ vendosin të sjellin një projekt në këtë formë. 8 vite më parë, Flori Mumajesi zgjodhi ta sillte këngën hit me titull ‘Tallava’, në një videoklip i cili mblodhi pamjet më të bukura nga të gjithë fansat brenda dhe jashtë vendit.
Me siguri edhe ‘Oj Lulije’ do të hasë të njëjtin sukses si ‘Tallava’, sepse deri më tani numëron 2.3 milionë klikime në kanalin e ‘Youtube’.