Real Madrid ka zbritur me këmbë në tokë, duke pësuar humbjen e dytë radhazi brenda një jave, pas një ecurie të mëparshme me 40 ndeshje pa humbje në të gjitha veprimtaritë. Këtë herë disfata erdhi me rezultatin 2-1, në “Santiago Bernabeu” nga Celta Vigo.
Ndonëse me pjesën dërmuese të titullarëve, në fushë, ekipi i Zidane nuk ia ka dalë të marrë maksimumin në ndeshjen e parë përballë Celtës mike.
Pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0 ndërsa të tre golat u shënuan në një hark kohor prej 6 minutash, në pjesën e dytë. Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë me anë të Aspas në të 64’.
Reali riktheu barazpeshën në minutën e 69’ me Marselon, por vetëm një minutë më pas Celta do të shënonte edhe golin e fitores me anë të Jonny.
Me këtë rezultat madrilenët kanë komplikuar shumë kualifikimin, i cili do të vendoset më 25 janar, në ndeshjen e kthimit.