Partizani luan sot në mbrëmje kundër Salzburgut, ndeshje kjo e vlefshme për turin e tretë paraelimintor të Ligës së Kampioneve. Në kampin e kuq ka një optimizëm për këtë sfidë, gjë që e ka shqetësuar trajnerin italian Adolfo Sormani. Në konferencën për shtyp ai ka kërkuar vëmendje dhe përqëndrim nga futbollistët e tij, pasi kjo ndeshje do të jetë tepër e vështirë. Ndaj Salzburgut do të jetë një ndeshje tepër e vështirë ka thënë Sormani. Megjithë optizmin dhe dëshirën e mirë që keni për fitore, mos harroni se luan Miu me Elefantin.
Austriakët ndodhen në vendin e 48-të në renditjen e UEFA-s e kanë lojtarë që vlejnë miliona. Këto janë fakte që nuk duhen harruar ndaj duhet të kthehemi me këmbë në tokë, ka thënë Sormani. Ndeshja Partizani-Salzburg do të drejtohet nga një treshe arbitrash nga Anglia. Ashtu si edhe ndaj Ferencvaroshit, skuadra e Partizanit nuk shihet e favorizuar nga kompanitë e basteve. Një fitore e skuadrës sonë kuotohet 5.5, ndërsa triumfi i Salzburgut 1.57. Barazimi kuotohet 4.1. Kjo ndeshje do të luhet sot në mbrëmje në 20.15, në Elbasan Arena dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga rrjeti i Radio Televizionit Shqiptar.