Na vjen keq që të zhgënjejmë fansat e Friends, por ribashkimi i shumëpritur duket se nuk do të bëhet.
Ose në rastin më të mirë do të jetë me një “shok” mangut pasi Matthew Perry ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në puntatën speciale live që do të transmetohet në shkurt. Në këtë pikë nuk dihet se si do të reagojnë pjesa tjetër e ish kastit të “Friends”, nëse do ta anullojnë apo jo pjesëmarrjen e tyre. Së bashku me “Friends” do të ribashkohet edhe stafi i një tjetër seriali komik, “Will & Grace”, e gjitha kjo në nderim të regjisorit komik James Burrows. Përfaqësues të aktorit 46 vjeçar deklaruan se ky i fundit është shumë i ngarkuar me provat e pjesës së tij teatrale në Londër, “The End of Longing”, e cila fillon më 2 shkurt. Më këtë komedi të zezë, Perry bën debutimin e tij si skenarist në teatër.