INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Chicago, Veliaj prezanton projektet strategjike për Tiranën

Chicago, Veliaj prezanton projektet strategjike për Tiranën

Publikuar më: 11:19 17-09-2017

Në ditën e dytë të vizitës së tij në SHBA, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj prezantoi para arkitektëve dhe urbanistëve pjesëmarrës në Bienalen e Arkitekturës së Chicagos disa nga projektet më të rëndësishme që do të realizohen në kryeqytetin shqiptar. Mes të tjerave ai deklaroi se, pas përfundimit të punimeve për ndërtimin e pjesës kryesore të sheshit “Skënderbej” ka nisur puna për pjesën pas bustit të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe sistemimi i hapësirës midis Bibliotekës Kombëtare dhe Kullës së Sahatit. “Po zgjerojmë pjesën pedonale të sheshit pas ‘Skënderbeut’, me lulishten klasike që e mbajmë mend që fëmijë. Mandej vazhdojmë me atë që quhet Kopshti i Librave, midis Bibliotekës Kombëtare dhe Kullës së Sahatit”, tha Veliaj. Ndërkohë, për të lehtësuar dhe përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve, pas Pallatit të Kulturës do të ndërtohet stacioni i autobusëve, ku do të jenë të përqendruara në një pikë të vetme të gjitha stacionet, që aktualisht janë vendosur rreth zonës së “Unazës së vogël”. “Këtë vit shtuam flotën në mbi 300 autobusë të rinj për të gjithë Tiranën dhe aktualisht kemi 25 linja. Kjo do të thotë që janë integruar edhe shumë prej zonave rurale”, u shpreh ai. Sa i përket zhvillimit të një plani rregullues për lumin e Lanës, ka nisur puna për hartimin e një projekti në bashkëpunim dhe me qeverinë japoneze, për të eliminuar derdhjen e ujërave të zeza. Fillimisht projekti do të zgjidhë problemin për 300 mijë familje që ndodhen në pjesën veriore të qytetit, e më pas do të shtrihet edhe në pjesën jugore. “Jemi duke bërë një projekt me qeverinë japoneze, e cila vendos të gjithë kanalizimet e zeza në një kolektor që i shmang nga derdhja në Lanë. Në njëfarë mënyre, Lana ishte kthyer në kolektorin natyral të Tiranës. Kolektori zgjidh problemin të paktën për 300 mijë familje, pra pjesën veriore të qytetit. Do të duhet të bëjmë të njëjtin investim edhe për pjesën jugore. Brenda 5 viteve nuk do të kemi më ujëra të zeza që derdhen në Lanë, por dy kolektorë që ecin paralelisht”, tha ai. Plani i Përgjithshëm Vendor do t’i japë Tiranës jo vetëm një infrastrukturë më të mirë, por do të ndikojë edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Pjesë e këtij plani është ndërtimi i “Pyllit Orbital”, që - sikurse tha kryebashkiaku Veliaj, - synon mbjelljen e dy milionë pemëve të reja deri në vitin 2030. “Pylli Orbital është plan shumë ambicioz. Do fillojmë këtë dimër dhe do të duhet që çdo vit të mbjellim rreth 100 mijë pemë, që të mbajmë këtë ritëm deri në vitin 2030. Deri tani kemi mbjellë nga 50 mijë pemë çdo vit, pra 100 mijë në total. Shumë pjesë të zëna, siç ka qenë pjesa jugore e liqenit, janë pastruar nga ndërtimet pa leje dhe janë pyllëzuar”, theksoi Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës zhvilloi edhe një takim me komunitetin shqiptar që jeton në Chicago, me të cilët bisedoi rreth transformimit që ka pësuar Tirana gjatë këtyre dy viteve, si dhe mundësinë e bashkëpunimit dhe rritjes së kontributit të emigrantëve shqiptarë në ekonominë shqiptare. Veliaj vlerësoi nismën e marrë nga qeveria shqiptare për rritjen e rolit të diplomacisë ekonomike dhe të krijimit për herë të parë të Ministrisë së Shtetit për Diasporën.

Article Logic
Execution time: 0.0063800811767578