Rreth 13 milionë dokumente të klasifikuara nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës të Shteteve të Bashkuara (CIA), janë publikuar në internet për herë të parë, shkruan “BBC”.
Dokumentet u bënë publike pas përpjekjeve të gjata të avokatëve për lirinë informacionit dhe një padie kundër CIA-s.
Të dhënat përfshijnë informime mbi misionet e inteligjencës, dokumente hulumtimi, informacione UFO-t dhe eksperimente psikike.
Arkivi i plotë është i përbërë nga pothuajse 800,000 fotografi me 13 milion faqe.
Ai përfshin letrat e Henry Kissinger, i cili shërbeu si sekretar shteti në kohën e presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, si dhe disa qindra mijë faqe analizash të inteligjencës të kërkimit shkencor mbi UFO-t .
Në mesin e të dhënave më të pazakonta janë dokumente nga programi “Stargate”, i cili merrej me fuqitë psikike dhe perceptimin jashtëshqisor.
Në nëntor, CIA njoftoi se do të publikojë materialet dhe i gjithë arkivi i deklasifikuar tani është në dispozicion në faqen e internetit të “CIA Library”.