Çmimet e artikujve bazë të shportës janë rritur mbi mesataren e përgjithshme madje disa nga to kanë kaluar dhe parashikimet. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në 2017, çmimet e vezëve, bulmetit apo dhe peshkut u rritën mbi 3-4%, teksa mesatarja e përgjithshme e ndryshimit të çmimeve në tregje duhet të ishte 2%.
Më keq akoma u paraqiten çmimet e perimeve dhe frutave edhe vitin e kaluar ato u rritën me ritme dyshifrore me rreth 11% secila. Është e habitshme se teksa niveli i inflacionit ka vijuar të rritet me ritme të ngadalta, disa produkte të shportës së ushqimeve janë rritur me ritme më të shpejta. Banka e Shqipërisë ka qëllim të ruajë një ritëm mesatar të rritjes së çmimeve nën 3% në vit, por në disa artikuj bazë të shportës ky nivel është tejkaluar me shpenzime më të larta për të njëjtat artikuj.
Për shkak të rritjes së çmimeve në artikujt bazë të shportës, kequshqyerja ka fituar terren. Të paktën 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm. Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës për urinë, i vitit 2017 vlerëson se në Shqipëri, prevalenca e pasigurisë së lartë për të garantuar ushqimet bazë prek 10% të popullsisë.