Inflacioni në vendin tonë nuk është asnjëherë i stabilizuar. Një nga shkaqet kryesore lidhet me çmimet e pastandartizuara të produkteve të shportës. Në muajin prill inflacioni është rritur sërish me 1.4% nga 1.2% që ishte në mars. Sipas të dhënave të INSTAT, pjesa më e madhe e çmimeve në prill janë rritur. Për perimet, rritja ka vijuar me ritme dyshifrore. Çmimi i zarzavateve u rrit me 36%. Shkak u bë mungesa e prodhimit të produkteve kryesore të tryezës si patatet, qepët dhe preshi. Një kilogram nga këto perime kushtoi mesatarisht 120 lekë gati dyfish në raport me vitin 2018. Prodhimet vendas kanë shënuar këtë vit goditje ekstreme në tregje. Fermerët hezituan të mbillnin perimet e dimrit për shkak të çmimeve të ulëta me të cilat i shitën në 2018. Ndaj këtë vit oferta ishte më e ulët se kërkesa ndaj dhe çmimet pësuan rritje jo të zakontë.
Ndërsa çmimet e frutave patën një ulje prej 0.4%. Këtë vit kishte një mbiprodhim të mollëve të vendi dhe luleshtrydhjeve e këto fruta janë shitur më lirë se një vit më parë. Po vetë fermerët ankohen se janë në vështirësi, sepse nuk po mbulojnë dot kostot.