Urdhër - arresti ndërkombëtar për Klemend Balili. Janë autoritetet greke që kanë shpallur zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar Klement Balilin, i akuzuar si kreu i organizatës ndërkombëtare të drogës dhe i etiketuar si ‘Baroni i Ballkanit’.
Lajmi bëhet publik në CNN në gjuhën greke. Në shkrimin e së hënës, CNN shkruan se urdhër-arresti që është lëshuar ndaj Balilit në Greqi do t’i dërgohet edhe vendeve të tjera të Evropës.
Në këtë mënyrë, edhe në Shqipëri do të ketë urdhër-arresti ndaj 44-vjeçarit nga Saranda, edhe pse ai është zhdukur dhe dyshimet janë të forta që ndodhet jashtë Shqipërisë.
Balili, shkruan media greke, konsiderohet si lideri i një prej grupeve më të mëdha të drogës në Europë, ndryshe “Escobari i Ballkanit”. Vec akuzës për trafik të lëndëve narkotike, siç edhe shkruan CNN, në të njëjtën kohë ndaj biznesmenit shqiptar do të ketë edhe një hetim për pasurinë e tij, pasi dyshohet se ka llogari bankare në 10 vende të Evropës.