Turizmi në vendin tonë është duke u përballur me një goditje të dytë të fortë brenda një periudhe shumë të shkurtër.
Pas tërmetit shkatërrues, tashmë frika më e madhe e të gjithëve është koronavirusi dhe ende nuk dihet se ç’do të ndodhë me këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. (Lexo këtu)
Ekspertët tregojnë se turizmi po përballet me një krizë të rëndë për shkak të COVID-19 dhe rreth 70% e rezervimeve janë rezervuar për pranverën.
Anëtari i shoqatës së turoperatorëve, Besnik Vathi në një intervistë për “ReportTV” thotë se të vetmet rezervime që nuk janë anuluar janë vetëm ato që janë bërë me parapagim.
“Për momentin anulimet nuk diskutohen që për pranverën mund të quhen të mbyllura komplet 100% të anuluar, për verën deri më tani kanë qenë në nivelin e 70% dhe mbetet një 30% që ndoshta në pritje për të se çdo të bëhet. Bëhet fjalë për rezervime pritje, me idenë që duke qenë se janë bërë parapagime për fluturimet, për hotelet dhe askush nuk dëshiron që ti humb. Në këto kushte do mendohet brenda Evropës se me cilët vende mund të kemi akses, me Greqinë, Italinë, Maqedoninë apo edhe vendet skandinave. Pra do të shikohet se ku konkretisht do të jenë më të mundshme hapjet”, shprehet Vathi.
Ai tregon se edhe në rast se kemi një zhdukje të virusit nuk do të kemi kthim në normalitet të turizmit, pasi situata paraqitet e vështirë.
“Situata më e mirë një zhdukje komplet e virusit dhe kthim në normalitet, atëherë kuptohet që nuk do të ketë bum po do të jetë rreth 30-40% krahasuar me vitin e kaluar. Pra në këto kushte çdo situatë sado optimiste nuk mund ta kalojë këtë shifër. Të flasësh pastaj për turizmin e brendshëm është utopi ose të flesh optimist me gjëra që janë të pamundura. Asnjë vend në botë që ka turizëm nuk e mbyll turizmin me turizëm të brendshëm”, thotë Vathi.
Qeveria shqiptare nuk ka paraqitur ende një paketë që lidhet me turizmin, prandaj përfaqësuesja e një prej agjencive turistike në vend Jeta Hoxha thotë se ata janë të papërgatitur.
“Ne kemi kontaktuar me turoperatorët tanë të huaj, por ne jemi në riskun që pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e dinë se kur do të pushojnë. Një pjesë e konsiderueshme e kanë ezauruar pushimin e tyre, një pjesë nuk e dijë nëse do të vazhdojnë në punë sepse ka pasur shkurtime. Por edhe ne jemi të papërgatitur duke pritur vendimin e ministrisë së turizmit se çfarë do të ndodh. Qeveria nuk ka nxjerr ende asnjë plan për pjesën e turizmit kështu që ne presim këto masa që ti vendosim ne zbatim”, thotë Hoxha.
Nga ana tjetër eksperti Besnik Vathi bazuar në deklaratat e deritanishme thotë se do të rriten kostot ndjeshëm nëse avionët do të fluturojnë me gjysmë kapacitet për t’ju bindur distancimit social.
Kubtojmë se pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama tregoi se pushimet brenda vendit janë më të mundshme.
Në masat e marra kreu i qeverisë ka treguar se do të përfitojnë agjencitë turistike që bëjnë pjesë në biznesin e vogël, gjithashtu ka menduar edhe për pagat e punonjësve të restoranteve.
Këto masa sigurisht që ja të pa mjaftueshme, pasi turizmi në këtë periudhë ka nevojë për më shumë vëmendje.