Kryeministri Rama ka patur një ditë të ngarkuar sot për shkak të takimeve të shumta, ku është takuar me të besuarit e tij dhe zyrtarët e PE-së.
E ndërsa herën e parë për të takuar Metën lëvizi me makinë nga Kryeministria te Kryesia e Kuvendit, disa orë më pas Rama i shoqëruar nga Ruçi dhe Balla e përshkoi në këmbë rrugën.
Rama kaloi qetësisht ngjitur me çadrën e PD për t'u futur në Kryesinë e Kuvendit ku zhvillohet takimi me zyrtari i PPE, David McAllister dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein, ndërsa nuk pati asnjë reagim nga protestuesit e PD.
Ndërkohë, kryeministri ka përshkuar sërish në këmbë Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke kaluar pranë çadrës edhe pas takimit me negociatorët David McAllister dhe Knut Fleckenstein.
Në momentin që disa prej protestuesve kanë dalë nga çadra, kreu i qeverisë u ka ngritur atyre dy gishtat dhe ka vijuar i qetë rrugën drejt zyrës së tij në Kryeministri.
Siç duket edhe nga pamjet, Rama s'ia ndan sytë çadrës për disa momente, e cila në fakt në momentin kur ka kaluar kreu i qeverisë ka pasur shumë pak protestues.