‘Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare’. Ky është vlerësimi që jepet nga Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit ku krahas vendeve të tjera të botës në kapituj të veçantë është analizuar edhe liria e besimit në Shqipëri, ku theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.
Raporti nënvizon se:
Qeveria, ka legalizuar 41 xhami gjatë vitit, krahasuar më 137 një vit më parë, 6 në vitin 2015 dhe asnjë në vitin 2014.
Grupet fetare raportuan se Agjencia për Trajtimin e Pronave (ATP) nuk ka përpunuar asnjë kërkesë për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit dhe ka miratuar vetëm një kërkesë për kompensim. ATP-ja tha se qindra kërkesa janë në pritje të ndryshimit të ligjit të pronës, përpara se ato të zgjidhen.Presidenti Ilir Meta i dha shtetësinë Arkipeshkvit të Kishës Autoqefale Ortodokse, Anastas, duke thënë se, “ai e kishte ripërtërirë kishën pas komunizmit”. E ndërsa vendimi i tij u mirëprit nga autoritetet greke, ai nxiti reagime të përziera politike në Shqipëri.
Në raport thuhet se ndërmjet janarit e majit, qeveria trajnoi 29 mësues në 15 shkolla, si pjesë e një projekti provues arsimor për të ndihmuar parandalimin e radikalizmit dhe për të nxitur tolerancën fetare. Megjithatë, zbatimi i plotë i programit ngeci në muajin maj dhe e ardhmja e tij është e paqartë.
Këshilli Ndërfetar, një forum i udhëheqësve fetar të vendit për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta, është mbledhur tri herë, ndryshe nga një vit më parë kur nuk u mblodh fare. Komuniteti Mysliman në Shqipëri është kritikuar në mediet sociale për “një fyerje të perceptuar” ndaj Gjergj Kastriot Skënderbeut, heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve me rastin e kremtimeve për festën e Bajramit.
Raporti flet për angazhimin e Ambasadës amerikane për të nxitur zyrtarët qeveritarë që të zgjidhin çështjen e pronave të grupeve fetare, arsimimin e të rinjve me theks në diversitetin fetar, forcimin e grave në bashkësitë fetare, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe programet e shkëmbimeve me theks në tolerancën fetare.
Qeveria amerikane vlerëson se nga 3 milionë, sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011, myslimanët sunitë përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind, ndërsa bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.
Shkollat publike janë sekulare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare.
Katër bashkësitë kryesore fetare thanë se mbështetja e tërësishme qeveritare për to mbetet 109 milionë lek (986 mijë dollarë), njësoj siç ishte edhe në vitin 2016.
Gjatë një vizitë në muajin maj, raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për lirinë e besimit, Ahmed Shaheed, krahas vlerësimit të përpjekjeve të qeverisë për të mbrojtur liritë fetare, i bëri thirrje qeverisë që të punojë për kthimin e pronave.
Në muajin tetor, theksohet në raport, parlamenti miratoi ligjin e ri mbi pakicat që do të ofrojë mbrojtje shtesë për të drejtat e pakicave përfshire edhe lirinë e besimit.