INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
DASH publikon raportin për lirinë fetare në Shqipëri, ja çfarë duhet përmirësuar

DASH publikon raportin për lirinë fetare në Shqipëri, ja çfarë duhet përmirësuar

Publikuar më: 19:05 15-08-2017

Departamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. Raporti përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Në këtë raport analizohet në kapituj të veçantë edhe liria e besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.

Shqipëri

Raporti vë në pah se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Megjithëse raporti flet me nota pozitive për harmoninë fetare në Shqipëri dhe qëndrimin e qeverisë ndaj besimeve të ndryshme, ai vë në dukje se është shënuar pak përparim lidhur me kthimin e pronave të institucioneve fetare. Qeveria ka trajtuar kërkesat e grupeve tradicionale fetare lidhur me kthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, megjithatë shumë raste mbeten ende të pazgjidhura.

Qeveria, thuhet në raport, ka legalizuar 137 xhami, krahasuar me 6 syresh një vit më parë. Shumica e tyre ishin ndërtuar pa leje gjatë viteve të 90-ta. Kryeministri ka shpallur një projekt sprovë që përfshinë 10 shkolla me synimin për nxitjen e tolerancës fetare në shkollat e mesme si mjet për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Por, ai ka theksuar se nisma e tij nuk do të ndikojë mbi sistemin arsimor sekular të vendit.

Raporti thekson se Këshilli Ndërfetar që duhej të vepronte si një forum i udhëheqësve të komuniteteve fetare ku do të diskutoheshin shqetësimet e përbashkëta, nuk është mbledhur sikurse një vit me herët. Papa Françesku priti në Romë kreun e rendit Bektashi të Shqipërisë, që është pritja e parë e një udhëheqësit fetar tek Papa.

Raporti thekson se zyrtarët e ambasadës amerikane kanë vazhdar të nxisin zgjidhjen e çështjes së pronave, kanë zgjeruar projektet për kultivimin e diversitetit fetar dhe kanë punuar me komunitetet fetare dhe organizatat joqeveritare, për të shkurajuar ekstremizmin e dhunshëm të lidhur me besimin si dhe për të nxitur tolerancën fetare.

Raporti vë në pah se disa politikanë kanë vazhduar të kritikojnë Arqipeshkopin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë për lidhjet me qeverinë greke.

Më 12 nëntor, Myftiu i madh Skender Bruçaj, udhëheqës i Bashkësisë Islame, mirëpriti ekipin izraelit të futbollit që po luante me Shqipërinë, duke vënë theksin tek toleranca dhe harmonia fetare ne vend.

Kosova

Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e fesë, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Qeveria miratoi dhe parlamenti shqyrtoi, por nuk votoi një projektligj që do t’i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridik.

Grupet fetare janë ankuar se autoritetet nëpër komuna shpesh nuk u ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta, posaçërisht kur bëhet fjalë për pronat e tyre dhe vendvarrimet.

Raporti vë në pah incidente me karakter fetar, ndonëse aty thuhet që shpesh për shkak të situatës në vend, është e vështirë të ndahen problemet që kanë karakter etnik dhe ato me karakter fetar. Kjo është më e theksuar tek komunitetit serb kur përkatësia etnike dhe ajo fetare janë një.

Raporti thekson se qeveria ka punuar me Bashkësinë Islame të Kosovës për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe ka dënuar dëmtimet e objekteve fetare.

Në raport përmenden edhe rastet e dënimeve dhe ndjekjeve ligjore ndaj imamëve të përfshirë në veprimtari që nxisin ekstremizmin e dhunshëm, siç është dënimi me dhjetë vjet heqje lirie i imamit Zekirja Qazimi,në maj të vitit 2016 për rekrutim dhe nxitje të terrorizmit si dhe ngritjen e akuzës kundër katër imamëve në shtator të vitit të kaluar për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore e etnike.

Në kuadër të përpjekjeve për nxitjen e tolerancës fetare, qeveria ka organizuar në fillim të qershorit konferencën e pestë ndërfetare duke vënë theksin tek roli i gruas në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Ndërsa në muajin mars është zhvilluar një konferencë mbi dialogun ndërfetar dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare për të nxitur ripajtimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Në raport thuhet mes tjerash se udhëheqësit e bashkësive të ndryshme fetare flasin për marrëdhënie të mira ndërmjet tyre dhe kanë marrë pjesë në shumë nisma e diskutime për çështjet ndërfetare.

Përfaqësuesit e ambasadës amerikanë theksohet në raport, janë në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët për të zgjidhur çështjet që rëndojnë gjendjen e lirive fetare në Kosovë./VOA/

Article Logic
Execution time: 0.0038611888885498