Në Itali kanë filluar spekulimet se kush mund ta marrë drejtimin e Interit pas shkarkimit të Stafano Piolit. Masimo Mauro, gazetar sportiv në rrjetin “Sky” në Itali, u ka propozuar Nerazzurrëve që t’i besojnë një trajneri ekspert italian, duke i sugjeruar Gianni De Biasin.
Në editorialin për gazetën “La Repubblica”, Mauro thekson se Interi ka nevojë për një njeri që duhet të rikrijojë skuadrën nga e para.
“Pioli na dha iluzionin se kishte rregulluar gjërat pas dështimit të De Boer, por puna që bëri rezultoi sipërfaqësore. Ka shumë probleme, skuadra duhet bërë nga e para. Ka nevojë për investime të mëdha, por edhe për ndërgjegjësim nga lojtarët në nivel ndërkombëtar për të mos gabuar blerjet”, ka thënë ai.
“Analiza nuk duhet bërë vetëm në aspektin teknik, por edhe në atë njerëzor. Për rindërtimin duhet absolutisht një trajner italian, De Biazi për mua do të ishte njeriu i duhur”, - ka theksuar ai.