Pankina e Kombëtares italiane të futbollit ende nuk ka një zëvendësues pas largimit të pritshëm të Antonio Kontes te Çelsi, në përfundim të “Euro 2016”-ës.
Mediat italiane kanë publikuar ditët e fundit refuzimet që disa prej trajnerëve të njohur i kanë bërë kombëtares italiane, apo pamundësisë që ata kanë për ta marrë këtë funksion, për shkak të impenjimeve apo kontratave që kanë me klube të ndryshme.
I fundit që tha jo ishte Fabio Kapelo, ndërsa Ranieri nuk mund të lerë Leicester e tij në kohën kur po arrin një sukses të dukshëm në Premier Ligë.
Një ndër emrat e përfolur në mediat italiane është edhe trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi. Ky i fundit vlerësohet për rezultatet e arritura në Shqipëri, me kualifikimin historik të kuqezinjve në Europian.
Por si e ka komentuar listën e kandidatëve të mundshëm ish-trajneri i Kombëtares italiane dhe i skuadrës së Juventusit, Marçelo Lipi.
“Emrat që fliten për Kombëtaren italiane janë gjithmonë të rëndësishëm. Të gjithë ata që janë përfolur kanë kredencialet e duhura për të qenë drejtues të Kombëtares italiane. Federata do të zgjedhë emrin e duhur”,-ka deklaruar Lipi për “Sport Mediaset”.
Ndërsa gazeta më e madhe sportive në Itali “La Gazzetta dello Sport”, ka shkruar se De Biazi është njëri prej kandidatëve të mundshëm bashkë me Gasparinin, Guidolin e Mazarin.