Trajneri i Kombëtares Shqiptare është fitues i Cmimit “Panchina D’oro”, Stoli i Artë, një vlerësim ky që bëhet nga një institucion prestigjioz si Federata Italiane e Futbollit, FIGC.
Në eventin e organizuar në Coverciano ku vlerësuan trajnerët më të mirë të futbollit italian gjatë sezonit të kaluar, De Biasi u vlerësua për arritjen që realizoi duke kualifikuar për herë të parë Shqipërinë në një kampionat europian.
Pasi mori cmimin e pankinës speciale trajneri i kombëtares kuqezi ua dedikoi atë futbollistëve të tij duke nënvizuar se ky që iu bë nga federata italiane e futbollit është një vlerësim i madh për të.
Ky është padyshim një vlerësim prestigjioz për De Biasin, i cili vjen për meritat e trajnerit në drejtimin e Kombëtares Shqiptare me të cilën surprizoi opinionin ndërkombëtar duke siguruar kualifikimin në kampionatin Europian të Futbollit.
Në këtë mënyrë vjen një tjetër konfirmim se eksperienca me kuqezinjtë mund të konsiderohyet si një kulm i karrierës për një trajner me përvojë të madhe si De Biasi që në drejtimin e kuqezinjve ka arritur të vlerësojë akoma më tepër shkollën italiane të trajnerëve, e cila vlerësohet gjerësisht si më e mira në botë.