Trajneri i kombëtares kuqezi ka folur sot për “Radio 24” në Itali, në vigjilje të fillimit të eliminatoreve për Botëronin në Rusi. Ai nuk harron batutat për Spanjën dhe Italinë, dy kundërshtarët e Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
“Pushimet sapo i mbarova, jam gati të rifilloj aventurën e re, e re si mënyrë shprehjeje, me Shqipërinë dhe të shohim se çfarë ndodh në kualifikueset e Botërorit duke pasur parasysh se kemi përballë Spanjën dhe Italinë dhe kualifikohet vetëm një direkt dhe tjetra shkon në play-off. Të shohim cila nga të dyja kalon në play-off. Si batutë nuk është aq keq, të shohim se kush mes tyre shkon ne play-off sepse ne kualifikohemi (qesh). Shpresojmë të kemi vazhdimësi”, ishin këto fjalët e kreut të pankinës kuqezi, i cili shprehet i bindur se Shqipëria mund të kualifikohet direkt në fazën finale të Botërorit.